English

Të plagosurit tek Ushtaraku, mjekët: 2 fëmijët, përmirësim të lehtë

Tiranë, 19 korrik, NOA - Gjendje e qëndrueshme shëndetësore dhe përmirësim i lehtë krahasuar me një ditë më parë.

Kjo është situata shëndetësore për dy fëmijët e plagosur gjatë aksidentit të së shtunës në Gjegjan të Pukës, Arnisa Mustafa 8 vjeçe, e cila gjendet në komë cerebrale dhe Erikson Peraj 9 vjeç i porsaoperuar në mushkëri.

Drejtori i spitalit ushtarak Bedri Miho, ka sqaruar për mediat, gjendjen shëndetësore të 5 pacientëve, të cilët u dëmtuan më shumë nga aksidenti i rëndë.

Sipas Mihos, dy fëmijë të tjerë, Mirinda Mustafa dhe Desara Dyzeni i janë nënshtruar të hënën operacioneve të cilësura mjaft të vështira, e para në kofshët e dëmtuara rëndë dhe e dyta në zorrën e trashë, ndërsa ka dalë nga reanimacioni nëna e Eriksonit, Flora Peraj.

Për të tjerë pacientë, gjendja shëndetësore paraqitet e mirë.

Drejtori i Spitalit Ushtarak thotë se falë shërbimit të specializuar dhe terapisë intensive që ata do të kryejnë në ditët në vazhdim, nuk shihet ndonjë mundësi për transportimin e tyre jashtë vendit pasi ka shpresa për përmirësim të mëtejshëm të gjendjes së tyre shëndetësore.

Aktualisht në spitalin Ushtarak gjenden të shtruar 10 të mbijetuar të tragjedisë së rëndë, që ndodhi pasditen e së shtunës në fshatin Gjegjan, në Pukë.

Bilanci i viktimave të aksidentit është tragjik, 14 të vdekur, 11 prej të cilëve direkt pas rënies së autobusit në humnerë dhe 3 të tjerë disa orë më pas, në spitalin ushtarak pa mundur ti mbijetojnë plagëve të marra.

Familjarët e viktimave i kanë vizituar të djelën drejtues të lartë të shtetit, si kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

Ndërsa të hënën, Presidenti i republikës, Bamir Topi, ka ndarë dhimbjen me familjet e viktimave.

b.a/NOA
KOMENTE