Tiranë, Projekti Strehimit Social, 400 Banesa Të Reja Për Të Pastrehët
TIRANA, 19 Korrik/ATSH-Gjergji Mima/. - Një nga projektet më ambicioze të Bashkisë së Tiranës për strehimin social, është projekti për ndërtimin e 400 banesave sociale në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë.
Projekti përfshin përveç strehimit të rreth 400 familje të pastreha të Tiranës,edhe krijimin e kushteve normale e cilësore të jetesës, përfitimin e shërbimeve të tjera, deri dhe mundësi punësimi. Ndërsa një çerdhe, kopësht, shkollë, hapësira kreative për fëmijët e deri në një qendër sociale, parashikohet të vihen në dispozicion të banorëve në këtë kompleks të integruar, duke ofruar gjitha lehtësirat e mundshme dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e jetës komunitare.
Kryebashkiaku Rama inspektoi sot punimet që po kryhen në këtë zonë, një projekt i standarteve evropiane, i cili synon të përbëjë vizionin e ri të strehimit social, për familje që pavarësisht se janë në kushte të vështira sociale dhe ekonomike, meritojnë të jetojnë në mjedis cilësor e të sigurtë.
"Ishte kënaqësi të ndiqnim nga afër punën për Qendrën e re Sociale që do të integrohet brenda kësaj lagjeje të re, të cilën ne po e ndërtojmë për të pastrehët, ku 400 familje do të mund të gjejnë më në fund atë që kërkojnë prej shumë kohësh, një strehë dhe do të mund të jetojnë në kushte shembullore", tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
- Kompleksi i banesave sociale
Që prej fillimvitit 2009, ka nisur puna për ndërtimin e banesave të para sociale në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë.
Sipas Bashkisë, fondet për financimin e projektit janë 12 milionë euro, nga të cilat 6.347 milionë euro financim me kredinë e marrë nga Banka e Këshillit të Europës, që do të shlyhet nga Bashkia dhe që do të përdoret për ndërtimin 400 apartamenteve me qëllim social.
Projekti, që në fazën e parë parashikon ndërtimin e 3 blloqeve të banimit, aktualisht është në fazën përfundimtare në dy nga këto blloqe, ndërsa punohet në bllokun e tretë, që përfundon në fillim të vitit të ardhshëm.
Krahas punës ndërtimore, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për procedurat e përzgjedhjes së përfituesve nga ky program social strehimi, mbështetur në kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 9232, datë 13.05.2004 "Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane".
- "Qendra Sociale për fëmijët në nevojë dhe të moshuarit"
Një çerdhe, kopësht, shkollë, hapësira kreative për fëmijët e deri në një qendër sociale do të vihen në dispozicion të banorëve në këtë kompleks të inegruar, duke krijuar kështu të gjitha lehtësirat e mundshme dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e jetës komunitare.
Sipas Bashkisë së Tiranës, nisur nga nevoja e planifikimit të të gjitha llojeve të shërbimeve dhe kryesisht shërbimeve sociale, në bashkëpunim me PNUD është mundësuar ngritja brënda këtij kompleksi e një qëndre sociale për fëmijët në vështirësi, kryesisht rom.
Nga analiza e nevojave për shërbime sociale rezulton se në Njësinë Bashkiake nr.1, ka një përqindje të konsiderueshme të popullsisë rome. Qendra do të shërbejë si pritëse për të gjithë fëmijët e identifikuar, me synim tërheqjen e tyre.
Me ngritjen e kësaj qëndre sociale, Bashkia synon përmirësimin e cilësisë së jetesës së fëmijëve që lypin, fëmijëve që punojnë dhe komunitetit rom. Gjithashtu, kjo qendër pritëse do të ketë në fokus të ofrimit të shërbimeve të saj edhe ndërgjegjësimin e familjeve, fëmijëve dhe komunitetit, evidentimin e nevojave, këshillimin për procedurat ligjore, për planifikimin familjar, mirërritjen e fëmijëve edukimin parësor, etj./n.m/