Topi Ngushëllon Familjarët E Viktimave Të Aksidentit Tragjik Rrugor Në Fushë-Arrëz
TIRANË, 19 Korrik/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi sot familjarët e viktimave të aksidentit tragjik rrugor të ndodhur dy ditë më parë, ku humbën jetën katërmbëdhjetë persona dhe u plagosën dymbëdhjetë të tjerë, duke u shprehur personalisht atyre ngushëllimet e tij.
Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, fillimisht, Kreu i shtetit u ndal në fshatin Gojan, ku u takua me familjarët e Zef Mark Gjergji, shoferit të autobusit, duke u shprehur atyre ngushëllimet më të përzemërta dhe respektin njerëzor për njeriun e shtrenjtë, para përcjelljes së tij për në banesën e fundit.
Në vijim, Presidenti Topi ndau dhimbjen e thellë për humbjen e pazëvendësueshme dhe tepër të parakohshme të të dashurve të tyre, me të afërmit e viktimave të tjera në fshatrat Gjegjan e Shkozë dhe në Fushë Arrëz. Në shtëpitë e këtyre njerëzve të goditur nga tragjedia, z. Topi shprehu mbështetjen e tij institucionale për familjarët, duke theksuar se në të tilla momente tepër të vështira jetësore, gjithë vëmendja, kujdesi dhe dhembshuria njerëzore e qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve shtetërore është përqendruar tek ata me nderim të thellë, human, solidaritet shpirtëror dhe angazhim maksimal për ndihmesën e vazhdueshme ndaj tyre në këtë situatë fatkeqe.
Ndalesën më të gjatë Presidenti Topi e pati në familjen Mustafa, e cila ka qenë më e prekura në këtë tragjedi me humbjen e tre familjarëve, ndërkohë që tre të tjerë ende gjenden të lënduar në spital. "I kam takuar dje familjarët tuaj në spital dhe mund t'ju garantoj se mjekët atje po bëjnë maksimumin", u shpreh Presidenti Topi.
"Tragjedia për ju është më e rënda. Fëmijët që kanë mbetur jetimë kanë nevojë për mbështetje dhe tani kujdesi maksimal nevojitet për të sëmurët, ndërkohë që duhet ndihmë e kualifikuar psikologjike për ta", vuri në dukje Kreu i shtetit duke uruar nga zemra për një shërim të shpejtë të tyre.
Në këto vizita, Presidenti Topi shoqërohej nga Zëvendëskryetari i Komunës Gjegjan, Zef Cacku, nga deputetë dhe ish-deputetë të kësaj zone. /a.s//a.ke/