Turqi - Gjykata Ngre Padi Kundër 196 Personave Për Komplot Ndaj Qeverisë
STAMBOLL, 19 korrik /ATSH-MIA/ - Një gjykatë në Stamboll ngriti sot padi kundër 196 personave, mes të cilëve edhe rreth 30 oficerë aktivë dhe në pension, për organizimin e një komploti për rrëzimin e qeverisë turke.
Në aktpadinë me 869 faqe, ata akuzohen se në vitin 2003 kanë marrë pjesë në një komplot, qëllimi i të cilit ka qenë krijimi i kaosit në vend dhe kryerje e një grushti shteti ushtarak, me anë të të cilit do të rrëzohej qeveria e kryeministrit aktual turk, Recep Taip Erdogan.
Numri më i madh i të akuzuarve janë arrestuar gjatë shkurtit të këtij viti, por më pas u liruan për t'u mbrojtur në gjendje të lirë deri në fillimin e procesit gjyqësor.
Në Turqi janë në vijim shumë procese kundër qindra personave, mes të cilëve edhe akademikë, gazetarë, politikanë dhe personel ushtarak, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në komplote të tjera kundër qeverisë./
a.jor.