English

Vlore: Dyshohet Se Mori Rryshfet, Arrestohet Punonjesi I Policise

VLORE, 19 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Një punonjës i policisë së Vlorës u arrestua rreth orës 15.20 të ditës së sotme në mjediset e komisariatit të policisë, i dyshuar se ka marrë rryshfet nga një person i kërkuar, duke i ofruar atij lehtësi dhe favore në procedurat e ndjekes dhe hetimit. Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, Ylli Metko, tha për ATSH-në se, "Kleanthi Laze, me detyrë agjent në sektorin e krimeve, u ndalua në përfundim të hetimeve në ngarkim të një shtetasi të shpallur në kërkim, të cilit dyshohet se ai i ka kërkuar vlera financiare në këmbim të favoreve dhe lehtësive për të mos u ndjekur nga drejtësia". "Personi i mësipërm është ndaluar ne muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe gjatë kësaj periudhe hetimesh ndaj tij, ai ka përmendur emrin e Lazes, të cilit, sipas tij, i ka dhënë vlera të konsiderueshme monetare për t'i shpëtuar përballjes me drejtësinë", theksoi Metko. Ai tha se, gjatë gjithë këtyre muajve, Laze ka qenë në ndjekje nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria e Rrethit, ndërkohë që paraditen e sotme, gjykata e shkallës së parë të Vlorës, vendosi ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në burg". /a.ke/
KOMENTE