English

Vlore: Ndalohet 38 Vjecari, Dyshohet Se Shkaktoi Vrasjen Me Dinamit Te Nje Shtetasi

VLORE, 19 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Një 38 vjeçar nga rrethi i Vlorës u ndalua mesditën e sotme nga policia, i dyshuar si autor i vrasjes dy ditë më parë nga pakujdesia të shtetasit Viktor Leskaj, në një ngjarje që ndodhi në bregdetin e Orikumit, gjatë kohës që dy personat gjuanin peshk me dinamit. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur për ATSH-në se, Qamil Haskaj, banor i qytetit të Orikumit, 20 km në jug të Vlorës, u ndalua në përfundim të hetimeve të ngjarjes që ndodhi mesditën e të shtunës në vendin e emërtuar "Raguza 1", ku si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi, mbeti i vrarë 34 vjeçari Viktor Leskaj. Fillimisht u dyshua se Leskaj ndërroi jetë si pasojë e pakujdesisë së tij, teksa gjuante për peshk duke shpërthyer një sasi lënde eksplozive të llojit dinamit. Por, gjatë hetimeve të mëtejshme dhe grumbullimit të provave, ekspertët dolën në konkluzionin se, lënda eksplozive ishte shpërthyer nga Haskaj, gjatë kohës viktima ndodhej në det. Policia ndaloi 38 vjeçarin Haskaj, me akuzën e vrasjes nga pakujdesia dhe peshkim i ndaluar. /a.ke/
KOMENTE