Vlorë: Nis Rënia E Temperaturave, Kushte Të Favorshme Lundrimi
LORË, 19 korrik/ATSH-H.Koçi/.-Vranësira të ndërrueshme, që do të arrijnë në nivelin mesatar në mesditë dhe ulje e temeperaturave do të shoqërojnë sot motin në gjirin detar të Vlorës.
Rënia graduale e vlerave të temperaturave është rrjedhojë e ndryshimit të regjimit të erërave, që do të kenë drejtimin në kuadratin e veriperëndimit dhe e rënies së përqindjes së lagështisë në ajër.
Kushtet e lundrimit të favorshme për të gjitha mjetet, i kanë nxjerrë mbi 20 peshkarexha për gjueti në hapësirën detare brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës.
Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se, sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Veri-Veriperëndim, me shpejtësi nga 2-4 m/sek, deri në 6-8 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 32-34 gradë celsius dhe ato minimale në 22-24 gradë celsius.
Valëzimi parashikohet të jetë 0-1 ballë brenda gjirit detar dhe 3-4 ballë në det të hapur./a.s//n.m/