English

Vlorë-Profil/ Lutfi Hoxha, Bujku I Dikurshëm, Sot Një Nga Fermerët Më Të Suksesshëm Në Qark

VLORË, 19 korrik/ATSH-H.Koçi/ - "15 vjet më parë e nisa me kultivimin e disa parcelave të vogla dhe me një tregti ambulante të perimeve dhe ja tani kam një fermë ku kam punësuar edhe mjaft bashkëfshatarë të mi". Me këto fjalë na shoqëron fermeri vlonjat Lutfi Hoxha, në një nga serat e tij, në fshatin Bishan, 25 km në veriperëndim të qytetit të Vlorës. Lutfiu, mbi 65 vjeçar (nuk na e tregon moshën), thotë se, në vitin 1992 përfitoi nga reforma 2 hektarë tokë bujqësore. Por, sot, ai administron 10.5 hektarë. Një sipërfaqe prej 1.5 hektarësh, që e bleu dy vjet më parë, nga një bashkëfshatar, tashmë e ka shndërruar në një tokë bujqësore produktive, në një serë, ku kultivon domate, speca, tranguj, etj. Po kështu, 7 hektarë të tjerë, i ka marrë me qera pak vjet më parë dhe kjo tokë tashmë është pjesë e fermës së tij që rritet e konsolidohet nga viti në vit. Ndërkohë, që shumë e shumë të tjerë bashkëfshatarë të tij, dikur përpara 15 vjetësh mendonin për të emigruar, ai mendonte se e ardhmja e tij dhe e familjes, ishte këtu në fshatin e lindjes. "Këtu ishte toka dhe mendoja se, këtu ishte edhe leku. Sepse po të dish të punosh, pa hile dhe me përkushtim, patjetër që do të dalësh në dritë", shprehet Lutfi Hoxha. - Serat, një nga ëndrrat e plotësuara të Lutfi Hoxhës- Me një trup të imët dhe tepër i shkathët e dinamik, Lutfiu na shoqëron përgjatë gjithë sipërfaqes së serës së tij të re 1.5 hektarëshe. Na tregon me krenari bimët e harlisura të domateve, që brenda dy javësh do të japin prodhimin e parë në treg, si dhe specat e perimet e tjera. "Është viti i parë që marr prodhim nga kjo serë. Këtë tokë e kam blerë dhe vitin e kaluar e përgatita dhe, ja shikoni. Nuk e kam mbuluar ende, por kjo për momentin nuk është e nevojshme, për kushtet aktuale atmosferike", thotë Lutfiu. Ai tregon se domatet që ka mbjellë këtu janë disi të vonshme dhe me to do të furnizojë tregun deri në fund të muajit shtator. "Kjo është e veçanta e tyre, sepse janë më të plota, më të shijshme dhe me to do të jem i pranishëm në treg edhe atëhere kur prodhimi i domateve, do të nisë të bjerë", tregon, fermeri nga Bishani, teksa lëviz nga një cep i serës në tjetrin, duke i kontrolluar me dorë bimët, në këtë ditë të nxehtë korriku. Lutfiu thotë se, kjo nuk është sera e vetme e tij. Diku, pranë shtëpisë, ka një tjetër sipërfaqe sere prej 3.5 dynymësh, ku ka kultivuar gjithashtu domate e perime të tjera. "Dikur, serat ishin gjëja që mendoja se mund sillnin një prodhim më të mirë dhe më cilësor. Prandaj dhe, qysh 15 vjet më parë, kur nisa kultivimin dhe tregtimin e perimeve, punoja për të realizuar një gjë të tillë. Tani, ja ku i kam dhe them se kam vepruar mirë", shprehet Lutfiu. - Ferma, një nga më të mëdhatë në qarkun e Vlorës- "Unë kam një nga fermat më të mëdha në Qarkun e Vlorës", thotë Lutfiu paksa me humor, ndërsa vazhdojmë të lëvizim përgjatë tokave që përbëjnë fermën e tij. Pak më tej, është një sipërfaqe prej më shumë se 3 hektarë e kultivuar me bostan, pjepër e diku më tej, një tjetër me shalqi. Pjepri është kulture e parë për këtë sipërfaqe toke, ndërkohë që, spinaqi dhe lulelakra janë kultura të dyta, që kultivohen në sezonin e dimrit. Me pjeprin ka dalë në treg prej dy javësh, ndërkohë qe me shalqinin, pak ditë më vonë. Pjepri dhe shalqini janë në traditën e kësaj zone. Prandaj dhe fermerët, mes të cilëve edhe Lutfiu e kultivojnë atë, duke e nxjerrë në treg. "Të gjithë prodhimin e dërgoj vetë në tregun e shumicës, ku kam kontratë të rregullt me një nga tregtarët e shumicës në Vlorë. Për këtë, kam dy furgonë të mëdhenj të llojit "Benz", me të cilët transportoj çdo ditë prodhimin", tregon Lutfiu. Ai thotë se, cilësia është ajo që vendos në treg. "Po nuk pate cilësi, nuk ke sukses. Ja, tashmë të gjithë tregtarët ma njohin prodhimin dhe e kërkojnë atë. Prandaj dhe, në këtë drejtim jam shumë i rreptë dhe nuk lejoj që të cënohet cilësia", shprehet ai. Kjo është edhe një nga arsyet, që prodhimi ka ardhur duke u shtuar dhe ferma duke u zgjeruar. Aktualisht, Lutfi Hoxha, prodhon dhe tregton çdo vit, mesatarisht 1 mijë kv pjepër, 1 mijë kv shalqi, 600 kv speca, 300 kv lulelakër, 1000 kv domate, dhjetra kv me sallatë jeshile e lulelakër. Të gjithë prodhimin e ka 100 përqind të shitur. Asnjë kg nuk i mbetet. "Puna më ka ecur, sepse i qëndroj në kokë dhe po ashtu do të vazhdoj të jem", shprehet Lutfiu. Domatet dhe perimet e tjera, i ambalazhon në arka të rregullta, ndërsa bostanin e vendos të thasë të posaçëm. - Eksporti, një ëndërr tjetër e fermerit 65 vjeçar- Eksporti i prodhimeve, është një tjetër ëndërr e Lutfi Hoxhës, të cilën ai për momentin, nuk e ka realizuar ende. "Shpresoj që një ditë prodhimet e mia, t'i eksportoj. Sepse nuk e shoh të pamundur. Të gjitha prodhimet e fermës time janë cilësore. Domatet, specat, bostani, lulelakra, kastravecat, janë të gjitha të një cilësie të lartë dhe mund të konkurrojnë fare mirë në tregun e jashtëm", thotë Hoxha, që është këshilluar për këtë edhe me specialistë të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. - Ferma, me punëtorë nga fshati Në fermë, përveç pjesëtarëve të familjes, dy djemve të rritur, nipërve e mbesave, ai ka punësuar edhe të tjerë bashkëfshatarë. Gjithsej, më shumë se 25 vetë. Nga këta, 7 punëtorë i ka sezonalë dhe 4 të tjerë të rregullt. U jep një pagë mjaft të mirë dhe u kërkon gjithashtu punë me cilësi. "Dy djemtë i kam krahun e djathtë, sepse më menaxhojnë atë pjesë të punës, që nuk mund ta kryej dot, siç është transporti për në Vlorë", thotë Lutfiu. Ai tregon se, prodhimin "ja përlajnë" në treg. Kërkojnë edhe tregtarë të tjerë të shumicës, të lidhin kontratë me të. Por, ai ka vendosur t'i qëndrojë besnik Sokolit. Nuk e ka zhgënjyer në gjithë këto vite dhe, puna e fitimi për të dy ka qenë mjaft i mirë. "Është një "ortakllëk", që na ka ecur, sepse të dy jemi korrektë me njeri tjetrin: unë me prodhimin cilësor dhe ai me korrektesën në shlyerjen e detyrimeve", thotë Lutfi Hoxha, ndërkohë që qëndrojmë për të pirë një kafe në hijen e oborrit në banesën e tij të madhe dy katëshe, tepër cilësore, ku ai jeton së bashku me bashkëshorten, dy djemtë, nipërit dhe mbesat. Diku, në një kënd të oborrit, është parkuar një autoveturë luksoze "Benz", me të cilin lëviz për në qytet, njëri nga djemtë. /gj.m/
KOMENTE