Tiranë, 19 Korrik 2010 NOA – Pas plot 13 orësh debati të pandërprerë, është votuar para pak çastesh ndryshimi në buxhetin e shtetit të vitit në vazhdim, ku ndryshimet kryesore konsistojnë në uljen e shumave financiare për bashkinë e Tiranës.
Opozita kundërshtoi këto ndryshime që iu bënë buxhetit dhe bojkotoi pjesën e fundit të seancës plenare, atë të votimit të draftit.
Buxheti i ndryshuar ka marrë votat e 71 deputetëve në sallë. Votimi u mbështet nga deputetët e PD dhe të LSI duke arritur numrin 71, të mjaftueshëm për t’i hapur rrugë ekzekutimit të ndryshimeve financiare në buxhetin e shtetit 2010.
Në votim nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Me votimin e sotëm, u ulën me 39 miliardë lekë të rinj shpenzimet e buxhetit të shtetit.
Opozita akuzoi se ka mungesë transparence në shifrat e dhëna dhe në shpërndarjen e shkurtimeve financiare.
Në seancën e sotme, ndër të rrallat maratonë, kanë munguar drejtuesit kryesorë të mazhorancës, si kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministri Sali Berisha, zëvendëskryeministri Ilir Meta etj.
Sakaq nuk u pa në lozha as kryetari i shtetit Bamir Topi kurse fjalën përmbyllesë në emër të grupit parlamentar socialist nuk e mbajti Gramoz Ruçi.
r.n/NOA