Afganistan - Konferenca Mbështet Kalimin E Sigurisë Te Autoritetet Në 2014-Ën
KABUL, 20 korrik /ATSH-ANSA/ - Konferenca e sotme e Kabulit mbështet planin e qeverisë afgane për të marrë "përgjegjësinë e operacioneve ushtarake në të gjitha provincat e vendit brenda vitit 2014".
Në dokumentin përfundimtar të Konferencës, për të cilin ANSA ka arritur të marrë një kopje para publikimit, theksohet se "komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të japë mbështetjen e tij për arritjen e këtij objektivi".
Konferenca e Kabulit aprovon parimisht edhe Programin e paqes dhe riintegrimit të qeverisë afgane.
"Bëhet fjalë për një program të hapur për të gjithë anëtarët e opozitës së armatosur afgane dhe të komunitetit të tyre që heqin dorë nga dhuna, që të mos kenë lidhje me organizatat terroriste ndërkombëtare, dhe ata që respektojnë Kushtetutën për të ndërtuar një Afganistan paqësor", thuhet më tej në deklaratën përfundimtare.
/e.v/