Afganistan - Kouchner U Bën Thirrje Afganëve Të Bëjnë Paqe Me Armiqtë E Djeshëm
KABUL, 20 korrik /ATSH-AFP/ - Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, u bëri thirrje sot në Kabul afganëve të tregojnë "guxim" për të bërë paqe "me armiqtë e djeshëm", ndërkohë kur qeveria dhe aleatët e saj ndërkombëtarë po u shtrijnë dorën talebanëve.
"Duhet të themi të vërtetën për një rrugë që mund të jetë e gjatë dhe që do të kërkojë guxim dhe imagjinatë", deklaroi Kouchner në një fjalim të mbajtur gjatë konferencës ndërkombëtare në Kabul.
Shefi i diplomacisë franceze theksoi se duhet të bëhet paqe me armiqtë e djeshëm dhe se zgjedhjet e parashikuara për në shtator do të jenë një test i rëndësishëm për aftësinë e ish-talebanëve për t'u integruar në lojën politike demokratike.
Shefi i diplomacisë franceze u shpreh gjithashtu se kjo nuk duhet të quhet si një zgjidhje politike e nxituar, në një kohë kur dora e shtrirë talebanëve i shqetëson OJQ-të për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
"Gjërat nuk do të rregullohen për një ditë dhe fqinjët e Afganistanit do të vazhdojnë t'i ndjejnë pasojat që ndonjëherë do të jenë të mëdha", theksoi ai.
Duke kujtuar premtimin e presidentit Nicolas Sarkozy që Franca do të qëndrojë për sa kohë të jetë e nevojshme në Afganistan, ai e mbylli fjalimin duke i ftuar afganët dhe komunitetin ndërkombëtar të luftojnë për paqen.
/I.Pu.