English

Basha: Besoj Në Vlerësimin Pozitiv Të Ekspertëve Të Be Për Liberalizimin E Vizave

E - Gjatë seancës dëgjimore në komisionin e Sigurisë Kombëtare - TIRANË, 20 Korrik /ATSH- Mira Shkurta/ - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha u shpreh i bindur sot ekspertët e Bashkimit Europian do të japin në fund të gushtit 2010 një vlerësim pozitiv lidhur me përmbushjen e tre kritereve shtesë që Komisioni Europian i ka dhënë Shqipërisë për të përfituar liberalizimin e vizave në hapësirën Shengen. I ftuar në seancën dëgjimore në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ministri i Brendshëm bëri një ekspoze të punës së institucionit që drejton për plotësimin e tre kritereve shtesë për liberalizimin e vizave. Duke ftuar opozitën në komision që të bëhet pjesë e angazhimeve të Qeverisë shqiptare dhe institucioneve ligjzbatuese në përmbushjen e standardeve të këtij procesi, kreu i dikasterit të brendshëm kujtoi se tre kriteret shtesë për liberalizimin e vizave ishin "Strategjia për Riintegrimin e të Riatdhesuarve", "Rritja e kapaciteteve të Policisë së Shtetit", si dhe "goditja e aseteve të vëna në rrugë kriminale". Basha u ndal në një nga kriteret shtesë, hartimi i strategjisë 'për riintegrimin e të riatdhesuarve". "Kjo nuk është një çështje e re për shtetin shqiptar, ndonëse si kriter i ri ai u paraqit vetëm në maj. Ne do t'i përgjigjemi kësaj kërkese në kohë e me cilësi". Për dy kriteret e tjera ministri i Brendshëm konfirmoi se puna e institucioneve në përmbushjen e tyre, do të vijojë në vazhdimësi, ndonëse detyrimi ndaj tyre ka nisur që me plotësimin e Udhërrëfyesit të BE-së, për vizat. Në vazhdimësi të përmbushjes së kritereve të Udhërrëfyesit Basha u ndal në sistemin e kontrollit të kufijve shqiptarë, duke pohuar se ai është tërësisht i integruar në kohë reale me postat kufitare, qendrën e komandës dhe kontrollit dhe me INTERPOL-in. Në këtë drejtim ministri i Brendshëm foli dhe për ecurinë e procesit të prodhimit të pasaportave biometrike, dokument që sipas tij plotëson standardet më të larta në Evropë. Sipas tij ushtrimi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, veç leverdive, ka përshpejtuar axhendën e reformave strukturore, si dhe blerjen e axhornimin e platformave në dispozicion të agjencive ligjzbatuese, duke forcuar bashkëpunimin konkret për këtë çështje. Në përgjigje të pyetjeve të opozitës lidhur me situatën e sigurisë në vend, Basha tha se janë katërfishuar indikatorët në luftën kundër krimit dhe po ashtu janë trefishuar dhe treguesit në luftën kundrë narkotikëve. "Bilanci është fare i qartë. Shqipëria sot nuk është më një vend tranzit i trafikimit të qenieve njerëzore dhe as një vend domethënës i trafikut të qenieve njerëzore. Sot në krahasim me 2 apo 5 vjet më parë, viktimat potenciale identifikohen nëpërmjet mekanizmit kombëtar të referimit dhe trajtohen sipas dispozitave ligjore dhe këtu nuk mungon aspekti i ndjekjes penale të personave, përgjegjës për trafikimin e tyre" u shpreh Basha para deputetëve. Ministri Basha tha gjithashtu se më 30 gusht ne do të paraqesim një raport të fundit, sikurse është vepruar dhe me tre vendet e tjera të rajonit, që përfituan në vitin 2009 liberalizimin e vizave me BE-në. Lidhur me rezultatet e arritura në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, Basha tha se është bërë i mundur që trafiku i heroinës të shmangë Shqipërinë si një vend me kosto të lartë dhe rrisk të lartë biznesi për trafikantët e kësaj lënde. Lufta antitrafik, vijoi Basha, nuk përfundon me liberalizimin e vizave. Në këtë proces ai vlerësoi rëndësinë e ligjit "Për moratoriumin e skafeve", që sipas tij ka dhënë rezultate pozitive të dukshme. Duke iu rithyer vendimit pritës nga ana e institucioneve shqiptare për liberalizimin e vizave me BE-në, ministri i Brendshëm theksoi se "ky vendim mbështetet në shumë faktorë, por në asnjë faktor më shumë sesa gjendja e përmirësuar e sigurisë në vend dhe rezultatet e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, të shprehura përmes shifrave konkrete, të verifikuara objektivisht nga partnerët tanë, si nga misionet e tyre në Tiranë apo dhe ato në Bruksel apo Uashington./a.s/
KOMENTE