Tiranë, 20 korrik, NOA – Pas deklaratave të sotme të liderit të opozitës, Edi Rama se buxheti i rishikuar dhe i miratuar dje do të thellojë krizën ekonomike, ka reaguar ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili deklaroi se thirrjet destabilizuese të Edi Ramës janë të pashpresa për opozitën.
Duke iu referuar debatit të gjatë për buxhetin në parlament, ministri Bode, tha se “opozita dëshmoi edhe njëherë se është pa një alternativë, pa një program për tu ballafaquar me qeverinë, pa një zgjidhje rreth zhvillimeve ekonomike ne Shqiperi, por dhe ne kuadrin e zhvillimeve të ekonomisë botërore, duke zëvendësuar diskutimin alternativë thjesht me mohime, me shtrembërime dhe me një kriticizëm të pabazë dhe bosh, një boshësi, të cilën e dëshmoi sot kreu i opozitës z. Rama, që përsëriti ato që dje u ka dhënë tellallëve të tij në Kuvendin e Shqipërise, sharje e thirrje tërësisht destabilizuese, të pashpresa për opozitën.
Ministri Bode gjatë konferencës për shtyp theksoi se “Rama shtermbëron të vërtetën kur thotë se buxheti i shtetit i vitit 2010 është pakësuar me 25%, në një kohë kur nga të gjithë dje u konstatua se shkurtimet shkonin jo më shumë se 9.5% e programit fillestar të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë vitin e kaluar”.
Ndërkaq, ministri Bode gjithmonë duke iu referuar akuzave të kryesocialistit Rama për buxhetin, shpjegoi se “Ne nuk kemi tabu në ndryshimet e buxheteve as ndryshimet e ligjeve, me qëllimin e vetëm që ato të sigurojnë një performancë më të mirë të financave publike”.
Në këtë kontekst, Bode iu drejtua Ramës, që të angazhohet më shumë për të bërë një buxhet të Bashkisë së Tiranës, të cilin nuk e ka ende.
“Z. Rama që del sot publikisht, pas 7 muajsh kohë të vitit 2010 ende nuk ka një buxhet të miratuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Mbase këto vështirësi e bëjnë z. Rama që të jetë i obsesionuar nga ndryshimet buxhetore apo ndryshimet ligjore aq të nevojshme për të dinamizuar veprimin e strukturave qeveritare në periudha të tilla të presioneve të krizës financiare ekonomike globale”, shtoi ministri Bode.
Duke iu referuar deklaratave të liderit të opozitës se ministria fsheh të vërtetën e buxhetit, ministri i Financave sqaroi se të gjitha informacionet, të dhënat sasiore për 6 mujorin e parë janë në dispozicion të publikut si nga Ministria e Financave ashtu dhe nga INSTAT-i dhe Banka e Shqipërisë, por që sigurisht nuk janë me formatin dhe me të dhënat që do dëshironte Edi Rama për të mallkuar dhe akuzuar ekonominë shqiptare si një ekonomi në krizë.
Ministri i Financave Ridvan Bode iu referua rishtas deklaratave të një jave më parë të FMN-së, ku u deklarua se Shqipëria kishte një rritje më të madhe ekonomike nga ç’kishte parashikuar ky institucion ndërkombëtar, duke vënë theksin në atë se ekonomia shqiptare vazhdon të mos jetë në krizë ekonomike, por shënon rritje të saj.
mit/NOA