Caritasi Shqiptar Ndihmon Fëmijët Jetimë Të Tragjedisë Së Gjegjanit
TIRANË, 20 Korrik/ATSH, A.Gegvataj/.- Caritasi Shqiptar ofroi sot për fëmijët e mbetur jetimë nga tragjedia e Gjegjanit një ndihmë financiare me një pagesë mujore për dy vite me radhë.
Në një deklaratë për shtyp, drejtori i Caritas-it Shqiptar Albert P. Nikolla, pasi shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave të kësaj tragjedie, tha se "nëpërmjet adoptimit në distancë do të ofrojmë për fëmijët një pagesë mujore për dy vite që do të kontribuojë në plotësimin e nevojave ekonomike të tyre".
Ai theksoi se "jetimëve të kësaj tragjedie do t'iu ofrohet edhe asistencë psiko-sociale për t'i ndihmuar që të kalojnë traumën që tragjedi të tilla shkaktojnë".
Pasditen e 17 korrikut në aksin rrugor Gjegjan-Fushë Arrëz një autobus pasagjerësh u aksidentua, duke shkaktuar vdekjen e 14 personave dhe plagosjen e 12 të tjerëve, mes tyre dhe fëmijë.
/a.s/