English

Dhëmbi: Shpenzimet Operative Jane Shkurtuar Me 22%

-Komisioni për Ekonominë diskuton nen për nen ndryshimet në buxhetin e vitit 2010-. TIRANE, 20 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/.-Komisioni për Ekonominë diskutoi sot nën për nën ndryshimet në pr/ligjin për shkurtimet në buxhetin e vitit 2010, i miratuar mbrëmë në Kuvend me 71 vota të maxhorancës. Mimoza Dhëmbi, drejtoreshë në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit, në ministrinë e Financave, e pranishme në mbledhjen e Komisionit, tha se "ndryshimet e parashikuara në buxhetin e shtetit për 6-mujorin e dytë të vitit 2010, konsistojnë nëshkurtimin e shpenzimeve operative me rreth 22%, e shoqëruar kjo me një paketë masash administrative për sigurimin e kursimeve". Dhëmbi në përgjigje të pyetjeve të deputeteve të opozitës mbi kriteret që janë përdorur për shkurtimet e shpenzimeve, sqaroi se "të gjitha shkurtimet e shpenzimeve janë konsultuar më parë me ministritë dhe institucionet përkatëse. Ndërkohë që vijoi ajo, shkurtimet e shpenzimeve në zërin e investimeve prekin kryesisht investimet joprioritare". Gjatë kësaj seance, anëtarët e Komisionit bënë pyetje dhe diskutuan në lidhje me shkurtimin e shpenzimeve, kriteret mbi të cilat janë përzgjedhur sektorët që do të pësojnë shkurtime të shpenzimeve, parashikimet për nivelin e të ardhurave për 6-mujorin e dytë, për nivelin e borxhit, etj. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, të pranishëm në mbledhje, sqaruan se përpara vendosjes së shkurtimit të shpenzimeve janë marrë në shqyrtim mundësitë e kursimeve për çdo zë të buxhetit, duke theksuar se "Borxhi publik është tërësisht i parrezikshëm dhe ndryshimet në buxhet janë në të mirë të ekonomisë shqiptare".Komisioni do të vijojë në mbledhjet e ardhshme me shqyrtimin nen për nen të ndryshimeve në buxhet. /f.n/
KOMENTE