English

E vërteta e hidhur

Kemi treguar atë të vërtetë të hidhur që detyroi Sali Berishën të grabisë votat dhe të mbyll kutitë e 28 qershorit, me qëllimin e vetëm që të vazhdojë të grabisë Shqipërinë duke mbuluar me gënjeshtra dhe shirita mashtrues gropën ku po zhytet përditë ekonomia e vendit

Nga Edi Rama / Foto: NOA/LSA

Kryetar i PS

Dua të flas për një përmbledhje për mbledhjen e djeshme të Kuvendit:

Duke filluar nga një fakt i nënvizuar me plotë të drejtë nga një numër i konsiderueshëm deputetësh të opozitës, lidhur me spikeren e Kuvendit që abuzon me buxhetin e shtetit. Zonja Jozefinë çdo javë merr dieta sikur jeton në Shkodër, megjithëse banon mu në mes të bllokut në Tiranë si funksionari shtetëror me të ardhurat më të mëdha nga buxheti i shtetit. Jo vetëm për shkak të rrogës së lartë, por edhe të abuzimit të madh dhe të vazhdueshëm me këtë buxhet.

Ky buxhet i rishikuar nuk zgjidh asgjë, përveçse u tregon shqiptarëve me faktin rrëqethës të shkurtimit të 25% të shpenzimeve, se kriza është reale dhe nuk është një fantazi apo kokëndjellje opozitare. Buxheti i rishikuar vetëm e thellon krizën ekonomike të familjeve shqiptare. Siç u provua edhe dje, kjo gjendje e rëndë ka një shkak madhor. Ky shkak është korrupsioni i oborrit të pushtetit që ka kapur tërë shtetin.

Opozita në mënyrë të qartë e ka treguar të vërtetën për situatën ekonomike të vendit qysh prej fillimit të vitit 2009. Ne i kemi paralajmëruar me kurajë dhe kthjelltësi pasojat që kanë filluar të ndjehen sot në kockën e ekonomisë reale të familjeve e të sipërmarrjeve shqiptare.

Kemi treguar atë të vërtetë të hidhur që detyroi Sali Berishën të grabisë votat dhe të mbyll kutitë e 28 qershorit, me qëllimin e vetëm që të vazhdojë të grabisë Shqipërinë duke mbuluar me gënjeshtra dhe shirita mashtrues gropën ku po zhytet përditë ekonomia e vendit.

Nuk u dëgjuam në kohë sepse Shqipëria nuk u qeverisë nga të zgjedhurit e popullit, por nga ata që nuk e lanë të zgjedhë. Pikërisht pasi nuk duan të lënë pasuri të përbashkët, pronë publike e rëndom edhe private pa futur në oborrin e tyre.

Shkurtimi i mbrëmshëm i buxhetit është një përpjekje sa e vonuar aq edhe e dëshpëruar, e cila për më tepër nuk do të zgjidh asgjë.

Të gjithë do të jemi këtu kur brenda këtij viti një tjetër shkurtim dramatik do të lypset dhe për këtë shkurtim dramatik qeveria do të jetë e detyruar nga kriza dhe jo nga vullneti i saj, ti ridrejtohet kuvendit. Sepse qeveria nuk i doli përballë krizës në kohën e duhur dhe tani është kriza që e tërheq pas vetes qeverinë.

Kriza është më e rëndë, shumë më e rëndë sesa na e tregojnë shifrat gjithsesi të rënduara zyrtare. Në kutitë e mbyllura të ekonomisë shifrat dhe faktet mbahen fshehur dhe manipulohen nga trinomi Qeveri-Banka e Shqipërisë- Instat. Edhe dokumentacioni buxhetit siç e dëshmoi mungesa që e shoqëroi gjithë procesin e diskutimeve për të hartuar këto ndryshime që u miratuan mbrëmë mbahet i mbyllur, njësoj si dokumentacioni zgjedhor.

Për të njëjtat arsye në fakt mbulim i së vërtetës për qëllime fitimi, duke zgjatur qëndrimin në pushtet përmes falsifikimeve e shtrembërimeve të shifrave dhe fakteve të jetës reale të shqiptarëve. Që sot po asfiksohen përditë e më shumë nga laku i një krize të gjithanshme. Realiteti i kutisë së mbyllur të ekonomisë është po ai i kutisë së mbyllur të 28 qershorit dhe është po ai i kutisë që u hap në Ruzhdie.

Kur ky realitet të dal dhe patjetër do të dal një ditë në dritë, siç dëshmojnë dhe eksperiencat e ngjashme, Shqipëria do të tronditet njësoj si nga manipulimi i neveritshëm i Ruzhies dhe i ruzhdieve që rrinë sot e gjithë ditën të mbyllura, në pritje të hetimit parlamentar.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, ka një tabelë të ashtuquajtur tabelë paraprake për 6 mujorin e parë 2010, ku për herë të parë në këto 10 vjet fshihet përqindja e realizimit të planit.

Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve publikimi i fundit mban datën korrik 2007. Kurse Drejtoria e Doganave në faqen e saj zyrtare ka mbetur në prill.

Ministria e Financave deklaroi para ca kohësh se ka paguar çdo qindarkë që ka planifikuar Ministria e Punëve Publike. Por kjo e fundit as mbrëmë nuk arriti të thotë asgjë të logjikshme pse nuk janë planifikuar paratë që duhen për të shlyer segmente rrugore të kontraktuara dhe që sipas afateve duhet të kishin përfunduar, por që kanë mbetur sepse në fakt është shteti që ka mbetur pa lekë.

E vërteta është që për shiritat mashtrues të zgjedhjeve të shkuara, barra e pagesës së gjithë këtyre kantiereve të hapura pa i patur paratë, ju la pabesisht kompanive që u shkretuan nga kjo manovër e ulët.

80 milionë dollarë u shkurtuan mbrëmë nga investimet në punë publike. Që do të thotë se sipërmarrësit nuk do të paguhen as deri në fund të këtij viti për borxhet që ju ka qeveria. Furnitorët e tyre nuk do të marrin as deri në fund të këtij viti paratë që u kanë borxh kompanitë e rrugëve të mashtruara nga qeveria.

Bankat tregtare, të huaja a vendase, kot ta presin deri në fund të vitit sepse kreditë e riskeduluara, për faj të qeverisë dhe jo të kompanive, përsëri do të mbeten pashlyer. Punëtorët e kompanive që janë të sakrifikuarit e gjithë kësaj manovre në radhë të parë nuk kanë ç’presin deri në fund të vitit sepse asnjë lekë nuk do të marrin nga punët e kryera. Ndërkohë asnjë punë të re nuk do mund të bëjnë, duke jetuar me borxhe e lista dyqanesh për mbijetesë.

Na erdhi të gjithëve zor dje kur e pamë Ministrin e Financave në atë gjendje që është katandisur deri në leximin e një liste kredish gjoja të mbyllura apo të ëndërruara, por që në fakt janë thjesht justifikime për përrallën 3.2 miliardëshe të Saliut.

Edhe një fëmijë e kupton se nuk ka pse shkurton investimet dhe pse i lë njerëzit dhe kompanitë me borxhe e me lista një qeveri që paskërka kontraktuar 3.2 miliard euro.

Arsyeja pse nuk janë fshirë edhe këto 3.2 miliardë euro në tabelat e buxhetit është se 3.2 miliard euro nuk ekzistojnë tjetërkund përveçse në listën e gënjeshtrave e të mashtrimeve publike të kësaj qeverie e posaçërisht të këtij kryeministri. I cili sot gënjen përditë e më shumë, sepse kriza sot është përditë e më e madhe.

Energjia elektrike sot është shtrenjtuar 13 %, uji i pijshëm 26%. Shërbimi shëndetësor është shtrenjtuar 46%. Vetëm shtesa në drita, ujë dhe telefon është 5 herë më shumë sesa rritja e sivjetshme e ashtuquajtur e pensioneve, që është më e ulët se inflacioni për pensionistët.

Në 6 muaj nuk është paguar asnjë qindarkë për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për familjet me të ardhura të ulëta. Qeveria deklaroi në nëntor 2009 kur paraqiti buxhetin se janë 2 miliardë lekë kompensime. Në dhjetor Kuvendi miratoi 1 miliardë lekë, e tani ky fond ulet në 650 milionë lekë, duke u pakësuar në 3 herë. Ndërkohë që askush nuk ka marrë asnjë qindarkë dhe këto 650 milionë lekë do të bëhen ZERO kur të vi përsëri rishikimi i këtij buxheti skandaloz. 60 mijë familjet e personave me aftësi të kufizuar ligjërisht e kanë të shkruar se duhet të marrin një pension bazë 10,700 lekë, por në të vërtetë ata marrin vetëm 8,700 lekë. Qeveria u vjedh haptazi çdo muaj secilit 2 mijë lekë dhe kjo gjë hyn në normalitetin e fakteve të jetës sonë të përditshme.

Kurse 96 mijë familjeve në ndihmë ekonomike, u është ulur kësti mujor 3690 lekë në muaj. Me një konsum mujor minimal energjie elektrike dhe uji të pijshëm atyre u mbeten vetëm 17 lekë në ditë për bukë.

Pak ditë më parë Ministri i Shëndetësisë deklaroi se ata që refuzojnë të sigurohen duhet të paguajnë nga xhepi shërbimin shëndetësor. Atë shërbimin e rriturin pesëfish në lekë, ndërkohë që çdo vit cilësia e atij shërbimi ulet me herë.

Po kush refuzon të sigurohet në Shqipëri? Anëtarët e 96 mijë familjeve në ndihmë ekonomike? 145 mijë të papunët që figurojnë të regjistruar në zyrat e shtetit ku më kot kërkojnë punë. Apo refuzojnë të sigurohen 800 mijë shqiptarë në moshë pune që nuk kanë punë dhe nuk kanë sigurime shëndetësore pikërisht sepse janë të papunë? Nuk janë shqiptarët që refuzojnë të sigurohen, por është papunësia që nuk i le shqiptarët të sigurohen. Ka vetëm një ilaç për këtë plagë të tmerrshme sociale, alternativa jonë e shërbimit shëndetësor universal, jo me sigurime po përmes fondeve publike. Por është një alternativë që kërkon një rithemelim tërësor të qeverisë dhe të qeverisjes.

Edhe të përndjekurit janë të prekurit e radhës nga këto shkurtime. Nuk do të marrin as edhe një qindarkë kompensim këtë vit nga shuma e madhe e premtuar për të kushedi se sa të satin vit me radhë prej Sali Berishës. Për të kushedi se sa të satin vit me radhë kompensimi shtyhet për vitin tjetër.

Si gjithmonë dhe si në të gjitha herët u premtohet parajsa dhe lihen në ferrin e dytë, ferrin 20 vjeçar të poshtërimit, pas 50 vjetëve të poshtërimit në ferrin e parë, në atë komunist. Vetëm opozita e sotme, do të mund ta trajtojë ashtu siç duhet me dinjitet këtë plagë dhe do të mund të ballafaqohet me këtë grup, ashtu si edhe me të gjitha grupet e tjera në mënyrën e duhur, për të ecur të gjithë bashkë në rrugën e duhur.

Në 20 nëntorin e shkuar Saliu deklaroi se “me buxhetin e vitit 2009 do të shtohet begatia në secilën nga 800 mijë familjet shqiptare”. Pra flasim për nëntorin e shkuar dhe sot kur duhet të masnim shtimin e begatisë, në fakt jemi këtu për të diskutuar shkurtimin e një buxheti për shkak të një krize, që jo vetëm nuk shton begatinë, por po rrënon edhe kursimet e fundit të familjeve shqiptare që janë gjithmonë e më të papuna dhe që nuk shohin dritë në fund të tunelit të krizës që i ka prekur drejtpërdrejtë tanimë.

Me atë rast kryeministri mësoi se nuk janë 800 mijë familje në Shqipëri, por janë 752 mijë, sipas vetë INSTAT-it të tij. Por po me atë rast i kërkuam publikisht të mos gënjente për begati, po të bënte një buxhet realist, sepse do të qe i detyruar ta rishikonte shumë shpejt, por ama me pasojat e zvarritjes, gjë që ndodhi. Përsëri po i themi do të jetë i detyruar ta rishikojë brenda harkut të këtij viti dhe përsëri shqiptarët do të paguajnë pasojat e zvarritjes.

Do të doja të përqendrohesha pak tek ajo që ka ndodhur në 6 mujorin e parë të këtij viti, nga ku erdhëm në pikën kritike ku gjendemi sot dhe që nuk është pika më kritike. Më poshtë do të gjendemi kur të rivijmë përsëri në një diskutim tjetër për shkurtimin e këtij buxheti.

Ajo që ka ndodhur është që në 6 mujorin e parë të 2010 të ardhurat janë rritur ekzaktësisht sa ç’është rritur edhe inflacioni mesatar. Pra rritja reale e ekonomisë është ZERO, në rastin më të mirë sepse shifrat të cilat ne ju referohemi janë të manipuluara për ta fshehur përmasën reale të krizës.

Deficiti 6 mujor, gjithmonë në bazë të shifrave që kanë pak besueshmëri, është 160 milionë dollarë. Mosrealizim në çdo zë të të ardhurave tatimore. Mos harrojmë se me këto të ardhura të munguara mund të rriteshin shumë më arsyeshëm pagat dhe pensionet dhe mund të kryheshin ato punë të cilat tanimë nuk do të kryhen sepse janë hequr nga planet e qeverisë për këtë vit për shkak se qeveria nuk ka lekë.

Në 6 mujorin e parë të ardhurat nga tatimit mbi vlerën e shtuar janë rritur dukshëm më pak se inflacioni mesatar i këtyre 6 muajve. Pra është fakt se në vend kanë qarkulluar më pak mallra e shërbime se 6 mujori i parë i një viti më parë, kur nën tingujt mashtrues të fushatës për Shqipërinë që po ndryshon, në fakt Shqipëria u fut në gropën e borxhit, për shkak të shpenzimeve marramendëse që bëri Sali Berisha thjesht që të riciklonte pushtetin e tij, që nëpërmjet pushtetit të vazhdojë procesi që ne po jetojmë çdo ditë, i grabitjes së pasurive të përbashkëta në funksion të një oborri në pushtet. Për të shpëtuar buxhetin qeveria thotë se do të bëjë privatizime.

Dje dëgjova shumë gënjeshtra, por ndër to edhe një gënjeshtër që ka të bëjë drejtpërdrejtë me këtë proces privatizimesh që përfshijnë të gjitha asetet e ushtrisë. Njerëzit duhet ta kenë mirë parasysh nuk janë kazerma dhe reparte të shkatërruara, por janë troje, shumë troje dhe në shumë pika strategjike, jo thjesht ushtarakisht, por për turizmin në këtë vend. Të cilat janë futur në rrugën e tjetërsimit në funksion të të njëjtave duar që po tjetërsojnë gjithçka nga pasuria jonë publike.

Ministri i Mbrojtjes paturpësisht tha dje lidhur thjesht me një rast konkret për një truall, të cilin bashkë me banorët kemi vite që e kërkojmë për ndërtimin e një shkolle në bregun e lumit, se paskërka qenë një procedurë normale e Ministrisë së Ekonomisë, me miratimin e Bashkisë. Gënjeshtër!

Ashtu sikundër në listën e aseteve që ka nisur për gllabërim drejt Ministrisë së Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes ka përfshirë asete të cilat janë kërkuar prej nesh pikërisht për ndërtime çerdhesh, kopshtesh, shkollash, për infrastrukturë sociale. Po ashtu edhe në listat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Privatizimit vazhdojnë të qëndrojnë dhe pastaj të marrin vizë, vizë, vizë sipër kërkesat tona për këtë çështje.

Por jo vetëm tonat dhe të shumë bashkive të Shqipërisë, të cilat duhet të ndërtojnë, kopshte, çerdhe, shkolla dhe të cilat po zhvishen tërësisht nga çdo lloj mundësie për shkak të tjetërsimit edhe të vetë objekteve që janë ekzistuese çerdhe, kopshte në mënyrë të veçantë. Një gjë është e sigurt, ne do ti rikthehemi të gjitha këtyre procedurave, ashtu sikundër do të bëjmë transparencën e të gjitha akteve të tjetërsimit të pasurisë publike në të gjitha këto vite.

Jo për të zhbërë gjithçka, po për të zhbërë çdo gjë që është bërë në mënyrë korruptive dhe nga e cila është përfituar, jo publikisht, por privatisht në dëm të interesit publik. Ashtu sikundër do të zhbëjmë edhe çdo monopol, sepse situata monopol që vazhdon në fakt në shumë tregje në Shqipëria, është një nga arsyet e krizës.

Është një nga arsyet pse shteti ka mbetur pa lekë dhe pse lekët janë përqendruar në shumë më pak duar. Ndërkohë që duart e qindra mijëra familjeve shtrihen drejt dyqaneve ku marrin ushqimin me lista. Pasojat e kësaj situate monopol janë lehtësisht të lexueshme, edhe në raporte shumë shqetësuese zyrtare edhe të vetë Shërbimit Informativ Shtetëror. Të cilat uroj të mos kenë lidhje më ngutjen e pajustifikueshme të Sali Berishës, për ta ndryshuar ligjin e këtij shërbimi, në kundërshtim me dëshirën dhe vullnetin e vetë NATO-s, sepse kjo do të ishte për Shqipërinë edhe më e tmerrshme sesa kriza ekonomike.

Në buxhetin e 6 mujorit të parë të vitit 2010 ka një shifër që është dy herë më e lartë sesa planifikimi dhe ky është deficiti. Deficiti që po thellohet përditë, megjithëse përditë kemi premtime për ulje të tij. Kemi arritur një borxh publik të frikshëm për vende me ekonomi të ngjashme me ne.

E kemi 2 herë më të madh borxhin sesa kapacitetin që manifestojmë sot për të mbledhur të ardhura. Merreni me mend se çfarë do të thotë kjo për një familje që konsumon 2 herë më shumë borxh sesa ajo që ka si të ardhur. Fund, falimentim ekonomik i garantuar.

Thonë paturpësisht që borxhi është 59.7% e prodhimit të brendshëm bruto. Vetëm po ti referohemi FMN, që megjithatë ka një shifër të bazuar në referenca të pasakta, që vijnë si rezultat i manipulimeve, qoftë të Bankës së Shqipërisë, qoftë të INSTAT-it, rritja e vitit të shkuar nuk ishte 3.3 por 2.8% që do të thotë se vetëm me kaq borxhi është 61%.

Por ndërkohë janë plot e plot fatura të papaguara ndaj sipërmarrjes. Fatura të papaguara ndaj të përndjekurve, fatura të papaguara ndaj pronarëve, fatura të papaguara ndaj ish ushtarakëve, fatura të papaguara për qindra e qindra vendime gjyqesh të formës së prerë, të gjitha me efekte financiare. Sa është borxhi? Mund të jetë edhe 100%, mund të jetë edhe më shumë se 100%.

E vërteta është që jemi në kushtet kur hamendësojmë, për shkak se nuk jetojmë në një shtet serioz, por jetojmë në një shtet mafioz.

KOMENTE