Fier: Digjen 5 Atobote Me Solar Dhe Një Çisternë
FIER, 20 Korrik/ ATSH, Rrapo Isufaj/- Një zjarr i fuqishëm që shpërtheu sot rreth orës12.35 minuta në depozitat e naftës (solar) të kompanisë private "Çilotaj" grup, ka djegur 5 autobote me solar dhe 1 çisternë me kapacitet 50.000 litra, që nuk ishte e mbushur plotësisht.
Shefi i repartit të zjarrfikëseve në Fier, Avdyl Kamberaj, tha para pak castesh për ATSH-në, se rreth 11 mjete zjarrfikse nga Fieri, Lushnja e Mallakastra dhe të kompanive të naftës, "Albpetrol" dhe "Armo" po luftojnë me flakët për të shpëtuar 3 depozitat e tjera që ndodhen aty pranë.
"Gjer tani gjëndja e flakëve po mbahet nën kontroll dhe tre depozitat e tjera janë izoluar", tha Kamberaj.
Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për shkaqet e rënies së zjarrit, por burime të saj pohojnë për ATSH-në, se "për momentin, shkaqet janë të pazbardhura".
Kordonët e Policisë, por dhe postblloqet e vendosur nga kompania"Çilotaj" grup e bëjnë të pamundur marrjen e detajeve më të hollësishme.
Grupi "Çilotaj" me Administrator të përgjithshëm, Ladi Çilotaj, me qendër në autostradën Fier-Lushnje, në km e tretë, operon në disa fusha ekonomike, si në ndërtim, aktivitet në përpunim solari për shtrim rrugësh, tregti hekuri, profile të ndryshme metalike, për materiale ndërtimi me shumicë, pije dhe të tjera mallra industriale.
Depozitat e hidrokarbureve të grupit "Çilotaj" janë montuar rreth 1,5 km larg rrugës kryesore, në periferi të fshatit Mbrostar vetëm 4 km larg Fierit./n.m/