English

Fier: Mungesa E Tregut Dhe Industrse Përpunuese, Zhdukën Traditën E Kultivimit Të Duhanit

FIER, 20 Korrik /ATSH -Rr.Isufaj / - Bima e duhanit, dikur traditë e motçme dhe nga më të kultivuarat jo vetëm në zonën kodrinore të Mallakastrës, por edhe në shumë fshatra të Myzeqesë, prej vitesh është hequr nga lista e kulturave të preferuara, bashkë me industrinë përpunuese dhe prodhuese të tij. Dhe humbja e kësaj tradite nuk ka të bëjë as me strategjinë e luftës kundër duhanit, as me citatet e zgjedhura në kopertinat e paketave dhe as me shëndetin, por me mungesën e një tregu. "Qarku i Fierit njihej për kultivimin e duhanit, aq sa në sistemin e ekonomisë shtetërore të centaralizuar listohej si një nga kulturat me leverdi të lartë ekonomike, ku mbilleshin rreth15 mijë ha tokë me një rendiment rreth 30 kv për ha", tregon ish-specialisti i duhanit, Bilbil Beqiraj. Fshatra të tillë si Ngjeqari, Kurjani, Vloshi, Ngraçani, etj, e kultivonin dhe e tregtonin këtë kulturë shumë më herët se të krijoheshin kooperativat e sistemit komunist, apo ish-fabrikat e prodhimit të cigareve. Burrat e moçëm të zonës e pinin duhanin me llullë, ose e dridhnin me gazetë. "Duhani i kësaj zone shquhej për cilësinë dhe erën ekarakteristike ,ç'ka e bënte mjaft të kërkuar në treg", vijon Beqiraj. Sipas tij, "goditjen "e parë, por jo vendimtare kultura e duhanit e mori pas prishjes së kooperativave dhe fermave. "Ndryshimet e mëdha në organizimin bujqësor pas viteve 90 nuk e kursyen kulturën e duhanit, pasi fermerët nisën të mbjellin më shumë drithëra dhe frutikulturë, ndërsa bimët industriale si duhani, pambuku, luledielli nisën të mbeten në hije, sepse nisi dhe shkatërrimi dhe mbyllja e industrisë me fabrikat ushqimore, të vajrave, cigareve. Pra mbyllja e industrisë përpunuese, që ishte tregu kryesor i këtyre bimëve, bëri që fermeri të humbi interesin dhe t'i braktisë këto kultura", shpjegon Beqiraj. Hapja e kufijve, emigracioni, ekonomia e lirë, pronësia e re mbi tokën sollën ndryshimet e para, jo vetëm në mënyrën e prodhimit të fermerëve, por edhe organizimit, menaxhimit, marketingut dhe tregtimit të produkteve bujqësore. "Në Shqipëri, rreth viteve 1994 filloi të operojë e para kompani e huaj, greke e interesuar për prodhimin dhe grumbullimin e duhanit, me qëndër në Elbasan, "Kaveks", me kapital të përbashkët shtetëror 49% dhe privat 51%", kujton Beqiraj, që vetë ka punuar një kohë si specialist i saj. Më pas, një tjetër kompani greke nisi aktivitetin në grumbullimin dhe tregtimin e duhanit, "Mika" me qëndër në Korçë. "Këto kompani lidhnin kontrat me fermerin që në fazën e mbjelljes dhe i ofronin asistencën teknike dhe gjithë bazën materiale falas si dhe seminare trajnimi, të gjitha falas. Fermerët ishin të kënaqur me leverdinë ekonomike sepse punësoheshin gratë dhe fëmijët dhe me pagesë të mirë", thotë ai. Sipas Beqiraj, periudha më e mirë e duhanit pas viteve 90-të ishin vitet 1994-98, kur si qark mblidheshin rreth 30 ton duhan dhe kultivoheshin rreth 10 ha tokë me variatetet kryesore "Rroskoveci 1","Rroskoveci 2" për zonën fushore dhe 'katerina"për zonën e Mallakastrës. Gjithçka ndryshoi në vitin 2000, kur kompania ndryshoi klientelën në rrjetin e tregtisë dhe eksporteve, që u shoqërua me ndryshimin e variateteteve të duhanit. Fermerit ju kërkua kultivimi i një lloji tjetër duhani që pëlqehej në tregun e huaj. "Fatkeqësisht, ky variatet nuk dha rendiment, pasi nuk ju përshtat kushteve klimaterike të zonës sonë dhe kjo shënoi rënien e ineresit për kultivimin e duhanit", tregon Beqiraj. Kompanitë greke të grumbullimit të duhanit e mbyllën aktivitetin rreth viteve 2005, duke i dhënë goditjen përfundimtare një nga traditave të hershme të kultivimit në zonë. Kjo dukuri u shoqërua me probleme social-ekonomike të fermerëve, pasi pothuajse të gjitha familjet fermere prodhonin duhan. Sot fermerët e ndjejnë nevojën e tregut të duhanit dhe shpresojnë se ndonjë kompani do të duket bashkë me kërkesën dhe kontratat për duhanin. Beqiraj thotë se duhani është me mjaft leverdi dhe çdo familje edhe në kushte primitive, mund të kultivojë rreth 2-3 dynym me të./n.m/
KOMENTE