English

Grigorev: Shtetet-çështje faktike, jo kauzë e GJND-së

Nju Jork, 20 Korrik, NOA – “Ekzistimi i shteteve është çështje faktike, është çështje e jetës, më tepër se sa çështje e opinionit juridik”, thotë Aleks Grigorev, president i Këshillit për Qeverisje Inkluzive, me seli në Nju Jork.

“Jam i sigurt se GJND-ja e kupton shumë mirë dhe e di se çfarë konsekuencash politike mund të ketë opinioni i saj”.

Kosova dhe Serbia po presin për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Sipas jush, çfarë opinioni mund të jepet? Ekzistojnë vetëm tri opsione për gjykatën për t’i marrë në konsiderim dhe, kuptohet, askush nuk e di se çfarë do të jetë mendimi i gjykatës. Ne vetëm mund të shpresojmë dhe të presim. Vendimin nuk do ta presim gjatë, pasi ai do të shpallet të enjten, por opsionet janë kryesisht tri. Gjykata mund të dalë në anën e Serbisë, pastaj Gjykata mund ta favorizojë Kosovën në opinionin e saj, ose vendimi do të jetë diku në mes. Unë mendoj se opinioni do të jetë diku në mes dhe qartas nuk do ta favorizojë asnjërën palë. Kjo do të krijojë terren për interpretime të shumëfishta, dhe që të gjitha do të jenë në masë të madhe valide. Jam i sigurt se GJND-ja e kupton shumë mirë dhe e di se çfarë konsekuencash politike mund të ketë opinioni i saj. Shpresoj, po ashtu, se Gjykata do t’i ftojë palët, që të angazhohen në dialog, për të zgjidhur shumë çështje të rëndësishme ndërmjet tyre. Është edhe një mundësi dhe më duket se të gjithë po e harrojnë atë: ajo për të cilën flas është mundësia që Gjykata të mos japë kurrfarë opinioni dhe ta kthejë çështjen prapa në Kombet e Bashkuara. Kjo do ta theksonte përsëri mungesën e pajtueshmërisë në mesin e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara lidhur me ruajtjen e integritetit territorial të shtetit, vetëvendosjen, mos-intervenimet ndërkombëtare me qëllim të ndaljes së dhunimeve të të drejtave të njeriut. Ky do të ishte vendimi më fatkeq i Gjykatës. Ai do ta vazhdonte status – quon, për të cilën të gjithë e dimë se nuk mund të qëndrojë. Dhuna e fundit tragjike në Mitrovicë tregon se diçka duhet të bëhet për ta qartësuar situatën e trazuar dhe për ta forcuar sundimin e ligjit atje. Çfarë ndikimi mund të ketë ky vendim i gjykatës te të dy palët, pra në Prishtinë dhe Beograd? Mendoj se kjo më pak varet nga vendimi i Gjykatës, e më tepër nga Prishtina dhe Beogradi, se çka duan të bëjnë me këtë. Do të ketë pak efekt derisa Prishtina dhe Beogradi dëshirojnë të marrin avantazh nga mundësia për zgjidhjen e çështjes. Gjatë qëndrimit tim në Prishtinë dhe Beograd, kam vërejtur ndryshime të rëndësishme në të dy kryeqytetet, e veçanërisht në Beograd, i cili gjithnjë e më tepër po këmbëngulë se dëshiron arritjen e kompromisit historik. Disa njerëz e cilësojnë këtë marrëveshje historike me Prishtinën dhe po përgatiten për nisma diplomatike pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shpresoj se një propozim i tillë do të jetë realist dhe do të marrë parasysh realitetin në terren dhe kryesisht realitetin në Kosovë. Nëse ky propozim do të jetë marrëveshje, atëherë ajo duhet t’i ketë dy fitues. Me fjalë të tjera, nuk duhet të ketë humbës. Dëshiroj të mbetem edhe më tutje në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Deri tash Kosova është njohur nga 69 shtete. A është e mundshme, që pas opinionit të Gjykatës, ku numër të rritet, ashtu siç pret Prishtina? Nëse opinioni do të jetë vërtet ashtu siç diskutuam, mendoj se numri i njohjeve do të rritet. Sa e di unë, disa shtete po presin për opinionin si formalitet dhe po planifikojnë njohje, pasi të publikohet mendimi. Por, më duhet të them, siç jam shprehur shumë herë prej 2008-ës, se ekzistimi i shteteve është çështje faktike, është çështje e jetës, më tepër se sa çështje e opinionit juridik. Është fakt derisa pothuajse të gjitha aktet e pavarësisë ishin të njëanshme. Kështu lindën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Realiteti në terren është se Kosova funksionon si shtet, me gjasë si një shtet jo i kompletuar dhe jo në 100 për qind të territorit të saj. Kosova nuk ka ulëse në Kombet e Bashkuara, nuk është e njohur nga Serbia dhe nga pjesa më e madhe e anëtarëve të OKB-së, por ajo funksionon. Pas opinionit të GJND-së, Kosova nuk do të zhduket. Nuk besoj se dikush është naiv sa të presë që Prishtina ta tërheqë Deklaratën e Pavarësisë. Kjo nuk do të ndodhë. E njëjta gjë është edhe me shtetet që e kanë njohur Kosovën. Asnjëra prej tyre nuk do të tërhiqet. Nga ana tjetër, shteti që fondamentalisht e kundërshton pavarësinë e Kosovës, nuk do ta njohë Kosovën. Mos harroni se aktualisht, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, tha se pavarësisht nga opinioni i Gjykatës, Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur, dhe në këtë pikë, nuk pres që dikush shpreson se Serbia do të bëjë diçka. Shpresoj se Kosova, Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar vendimin e Gjykatës do ta marrin si një mundësi për të lëvizur larg nga status- quoja e tashme. Çështje aktuale ndërmjet Kosovës e Serbisë, kuptohet pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë bisedimet për çështje praktike. Sipas jush, cilat çështje do të mund të diskutoheshin? Do të dëshiroja që, para së gjithash, të diskutohet për çështjet me interes për serbët e Kosovës, e veçanërisht prej se të dy palët pretendojnë se kujdesen për të ardhmen dhe situatën e kësaj popullate të vogël. Është popullatë e vogël, por problem i madh. Këtu është çështja e kthimit, e lirisë së lëvizjes, çështja e pasurisë e të tjera. Duhet pasur parasysh edhe atë të punësisë, që ka të bëjë me të gjithë në Kosovë. Papunësia është e madhe, si në mesin e shqiptarëve, ashtu edhe në mesin e serbëve, dhe nëse nuk bëhet diçka për këtë, do të sjellë krizë serioze në Kosovë. Pastaj, çështja e krimit të organizuar duhet t'i sjellë Prishtinën dhe Beogradin së bashku.

“Radio Europa e Lirë”

KOMENTE