Histori Njerezore/ Vlore: 17 Vjet Ne Kerkim Te Eshtrave Te Vellait Te Pushkatuar
VLORE, 20 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Prej 17 vjetësh, Arben Bilali së bashku me vëllezërit e tjerë janë në kërkim të eshtrave të vëllait të pushkatuar, Xhevitit. Gjatë viteve, kanë gërmuar në shumë vende, kanë kontaktuar shumë njerëz e biseduar me të gjithë ish- zyrtarët që u përfshinë në çështjen e vëllait të tyre. Kanë kërkuar edhe ndihmën e institucioneve, të Avokatit të Popullit, por pa arritur asgjë.
Sot, bashkë me ata që ishin të pranishëm në momentet e fundit të jetës së vëllait, do të shkojnë në Pyllin e Sodës, atje ku mendohet se në 9 shtator 1984, u krye ekzekutimi i 23-vjeçarit nga Vlora, Xhevit Esat Bilali.
"Kemi kërkuar përgjatë gjithë viteve, kudo, në Pyllin e Sodës, në zonën përgjatë bregdetit të Ujit të Ftohtë, në mjaft vende të tjera, kudo ku na thoshin se ndodhej varri i vëllait tonë, ekzekutuar nga pushteti komunist në moshën 23 vjeçare", tregon për ATSH-në, Arben Bilali, një prej vëllezërve të Xhevitit.
Por thotë se, në gjithë historinë e kërkimit dhe vendndodhjes së eshtrave të të vëllait, ka një enigmë që nuk po mundin t'a zbulojnë akoma.
"Janë ekzekutuar edhe të tjerë djem nga Vlora ato vite, por varret u janë gjetur, sepse dokumentacioni përkatës ka qenë i saktë. Në rastin e vendegzekutimit dhe vendndodhjes së varrit të vëllait tonë, Xhevit shumë gjëra kanë qenë të errëta, përfshirë edhe skicën e vendit ku u pushkatua dhe u varros", sqaron Arbeni.
Me ndihmën e ministrisë së Brendshme, më në fund ka siguruar dokumentacionin e nevojshëm dhe përmes tij, u identifikua vendi ku u bë ekzekutimi. Me këto të dhëna dhe me praninë e personave që kanë qenë të pranishëm në ekzekutimin e Xhevitit, sot do të nisin gërmimet.
-Historia nisi në 10 dhjetor, 1983-
Historia e kalvarit të vuajtjeve të Xhevit Bilalit nisi në 22 dhjetor 1983, kur u arrestua së bashku dhe me persona të tjerë nga forcat e repartit special të policisë, të mbërritur nga Tirana.
"Në atë kohë, Xheviti, punonte si punëtor në Ndërmarrjen Bujqësore të Kotës. Ishte i ri, 23 vjeç dhe ishte martuar në moshën 20 vjeçare. Kishte një djalë 2 vjeç dhe bashkëshortja ishte shtatzanë. Fillimisht e internuan në veri dhe, pak muaj më pas u soll në Vlorë, ku nisi procesi gjyqësor", tregon për ATSH-në, Arben Bilali, ndërsa sytë i ka përherë të mbushur me lot.
Gjyqi nisi në 7 korrik të vitit 1984. "Seancat gjyqësore u zhvilluan në sallën e kinoklubit "Perlat Rexhepi", në Skelë. Xheviti akuzohej për përvetësim të pasurisë socialiste, akuzohej se kishte vjedhur 10 kg lesh dhe për peshkim të paligjshëm", tregon Arbeni.
Thotë se, qysh në fillim të çeljes së seancës, u zhvillua një debat i ashpër mes kryetarit, Arqile Nini dhe të vëllait. "Xheviti, që lexonte fshehurazi librin e ndaluar "Shkëndija e jetës", ku flitej për krimet e nazizmit, ju drejtua për një çast kryetarit të seancës duke i thënë se, "ndaj tij ishin përdorur të gjitha torturat çnjerëzore, por nga goja e tij nuk kishin nxjerrë asnjë fjalë". Vëllai im ishte vetëm 23 vjeç dhe përballë egërsisë së kryetarit të seancës që, e kërcënonte në sallën e gjyqit, u soll me mjaft dinjitet", shprehet Arbeni.
Ai tregon se ishin një familje e madhe me 10 fëmijë, ndërkohë që, vetë Xheviti ishte i martuar herët, kishte 1 fëmijë dhe një tjetër që priste të lindte. "Në ato kushte të vështira, ku kishim vetëm të ardhurat e nënës, punëtore në shërbimin e pastrimit dhe të vëllait, punëtor në fermë, njeriu do të kërkonte me ç'të mundte për të mbijetuar", tregon Arbeni.
Gjyqi përfundoi shumë shpejt në 27 korrik dhe ndaj vëllait u dha vendimi me vdekje (me pushkatim) për veprën penale të përvetësimit të pasurisë socialiste, me 1 vit burg për atë të armëmbajtjes pa leje dhe 6 muaj heqje lirie për atë të peshkimit të paligjshëm. "Në përmbledhje u vendos dënimi me vdekje me pushkatim", citon Arbeni vëndimin e gjykatës.
Ai vijon se edhe procedurat e mëtejshme, vazhduan me mjaft shpejtësi, a thua se vëllai të kishte bërë krimet "e dynjasë". Në 11 gusht, me vendimin 192, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vendosi të njëjtën gjë. Por në 7 shtator, 1984 Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi të mos i falë jetën Xhevitit. Një ditë më pas, me shkresën me numër 1006/2 të datës 8 shtator, firmosur nga ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, drejtuar Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës, urdhërohej zbatimi vendimit nr 122 të gjykatës popullore të rrethit të Vlorës për ezkekutimin një ditë më pas, të të dënuarit Xhevit Bilali.
"Eh, si mund të pushkatohet një djalë vetëm 23 vjeç sepse akuzohet për vjedhje, apo për një vepër që as nuk mund të mendohet, siç është ajo e armëmbajtjes pa leje, apo dhe peshkim të paligjshëm", psherëtin Arbeni.
-Arbeni: Nuk kërkojmë hakmarrje por vetëm falje nga ekzekutorët-
Në këto 17 vjet, vëllezërit Bilali kanë identifikuar të gjithë personat që u përfshinë në çështjen e vëllait të tyre, madje edhe ekzekutorët, me të cilët kanë komunikuar në mënyrë mjaft njerëzore. "Ishte veprim i urdhëruar dhe nuk mund të bëj fajtorë ata që e zbatuan atë", thotë Arbeni.
Madje sot ai do t'i mbledhë të gjithë bashkë, duke i sjellë nga rrethe të ndryshme për të shkuar dhe gërmuar në vendin, ku mendohet se u ekzekutua dhe u varros i vëllai.
Por, kërkon edhe një falje publike nga të gjithë ata, që udhëruan këtë ekzekutim.
"Në rradhë të parë nga Ramiz Alia, i cili për të qetësuar sadopak shpirtin e trazuar të nënës time, duhet ta marrë atë në telefon( në nr. 0683112531) dhe t'i kërkojë ndjesë", shprehet Arbeni.
Këtë kërkon nga ekzekutorët e vëllait, që u pushkatua vetëm 23 vjeç, duke plagosur, siç thotë Arbeni, "zemrën dhe shpirtin e nënës, djalit të vogël vetëm dy vjeç, vajzës që nuk e pa të atin ndonjëherë, bashkëshortes që ishte rritur jetime dhe rriti jetimë, të babait, vëllezërve që nuk do të gjejnë asnjëherë qetësi. Por që mund të lehtësohen sadopak nga kjo ndjesë publike". /n.m/