Durrës, 20 Korrik, NOA – Forcat e policisë së Durrësit, pas veprimeve të para hetimore të kryera mëngjesin e sotëm mbi vrasjen e pronarit të lokalit “Diaspora”, kanë mundur të identifikojnë autorin e dyshuar të saj.
Ato konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se ai quhet Shpëtim Mema, i moshës 32-vjeç, banues në Shijak, i cili e ndërmori aktin e rëndë pas sherrit për humbjen e një celulari në lokalin e të ndjerit.
Mësohet ndër të tjera se Shpëtim Mema, nuk gjendet asgjëkundi dhe prandaj forcat policore kanë publikuar shpalljen e tij në kërkim.
Ngjarja e rëndë ndodhi në lokalin “Diaspora” të qytetit bregdetar, rreth orës 04:00 të mëngjesit, e shkak për këtë, duket se është bërë një sherr banal për humbjen e një celulari.
Grupi hetimor bën me dije se autori i dyshuar i ngjarjes, Shpëtim Mema, gjatë orëve të mbrëmjes e ka frekuentuar lokalin e viktimës, por aty i ka humbur një celular dhe është kthyer në orët e para të mëngjesit sërish aty për të qëlluar me armë Agim Secin, 50-vjeç me origjinë nga Tropoja dhe që prej shumë vitesh kishte jetuar në Gjermani, por që vitet e fundit njihej si pronar i lokal “Diaspora” në Durrës.
n.e/NOA