Kabul, 20 Korrik, NOA – “Duke filluar që nga viti 2014, Afganistanin duam që ta mbrojmë vetë dhe duam të jemi ne përgjegjës për sigurinë e tij”.
Kështu është shprehur para ndërkombëtarëve për të ardhmen e Afganistanit, presidenti i këtij vendi në konflikt, Hamid Karzai, gjatë konferencës së donatorëve, e cila po mbahet në kryeqytetin afgan, Kabul dhe parashikon të caktojë planin e ri të ndihmave.
"Prania juaj është një manifestim i vullnetit kolektiv për të na mbështetur që të sigurojmë një të ardhmen të ndritur për vendin tonë", iu drejtua Karzai më pas të ftuarve në këtë konferencë.
Më tej, ai tha se “si afganë, ne jemi të prekur nga sakrificat e djemve dhe vajzave tuaja që na ndihmojnë të mbrojmë sigurinë e përbashkët dhe për të forcuar institucionet e qeverisjes së Afganistanit".
"Ne përballemi me një armik të përbashkët që dhunon çdo normë islamike dhe ndërkombëtare për të thyer përpjekjen tonë të përbashkët. Armiqtë nuk duan gjë tjetër, veçse të krijojnë paqartësi, për të forcuar dyshimet lidhur me forcën e shtetit tonë dhe vendosmërinë", nënvizoi ai, duke pohuar se qëllimi fisnik i përpjekjeve të qeverisë së tij, është një e ardhme paqësore dhe e begatë për Afganistanin.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon tha se në të kaluarën partnerët ndërkombëtare janë përpjekur të ofrojnë paqe pa përfshirje të mjaftueshme të popullsisë afgane.
"I them popullit afgan se ne ndajmë aspiratat tuaja dhe e kuptojmë nervozizmin tuaj. Ka patur raste kur ne nuk kemi treguar aq sa duhet konsideratë për historinë dhe kulturën afgane", pranoi Ban.
Ndërsa Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Klinton u shpreh se SHBA kanë në plan të vazhdonte të mbështeste Afganistanin për një kohë të gjatë.
n.e/NOA