Sarandë, 20 Korrik 2010 NOA – Të fshihesh për shkak se të kërkon drejtësia, është e vështirë në një vend të vogël si Shqipëria. Ndaj dhe qëndrimi klandestin në jug të vendit, nuk ka vlejtur gjatë për një 35-vjeçar i cili duke dashur t’i shpëtojë policisë së Tiranës është fshehur në bregdetin e jugut dhe pikërisht në Qeparo që aktualisht është e mbushur me pushues.
Specialistët e seksionit Kundër Narkotikëve bënë ekzekutimin e vendimit penal, në zbatim të urdhrave të Prokurorisë për Krimet e Rënda, mbi ndalimin e shtetasit Ilir Malaj, 35 vjeç, banues në Tiranë.
Zyrtarisht policia tha se ndalimi i të riut u bë pasi Gjykata e Apelit Tiranë me vendim të datës 25 nëntor të vitit 2009, e ka dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale të “Trafikimit të Narkotikëve”.
Po ashtu në ngarkim të Malajt, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, me vendimin e datës 07 korrik 2010, ka caktuar në mungesë masën e sigurimit “Arrestit me burg”, duke e akuzuar për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së Narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
r.n/NOA