English

Kosove- Hyseni Udheton Drejt Hages Per Seancen Permbyllese Te Gjnd Per Pavaresine

INË PRISHTINË, 20 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni, udhëtoi sot drejt Hagës, ku më 22 korrik do të marrë pjesë në seancën përmbyllëse të procesit për mendimin këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) rreth pavarësisë së Kosovës. Kosova vitin e kaluar, më 17 prill dorëzoi në GJND deklaratën e parë me shkrim rreth 200 faqe me argumentet për pavarësinë, ndërsa më 17 korrik dorëzoi deklaratën e dytë prej rreth 150 faqe, e cila është kryesisht një përmbledhje e reagimeve dhe komenteve të Prishtinës zyrtare në deklaratat e para me shkrim që kanë bërë vendet e tjera. Nga 1-11 dhjetor 2009, në GJND u zhvilluan seancat dëgjimore 9-ditëshe për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që u përkrah nga 14 shtete, ndërsa Serbia nga 12. Argumentet e tyre në këto seanca dëgjimore i paraqitën 27 shtete, një prej të cilave ishte neutrale. "Argumentimi i Kosovës në GJND ka qenë shumë dimensional, absolutisht i plotë dhe presim që mendimi të jetë neutral me nuanca të theksuara në favor të Kosovës", deklaroi ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, në mbledhjen e qeverisë menjëherë pas kthimit nga Haga, ku përfaqësoi Kosovën në seancat dëgjimore gjatë gjithë procesit. Eksperti i njohur ligjor ndërkombëtar, Sir Michael Wood, nga Mbretëria e Bashkuar, ishte i angazhuari nga institucionet e Kosovës për t'i prirë ekipit të ekspertëve ligjorë në mbrojtje ligjshmërisë së pavarësisë në GJND. Presidendi kosovar, Fatmir Sejdiu, në fjalimin vjetor në Kuvend ditë më parë, tha se "ndër veprimet joracionale të Serbisë ishte edhe paraqitja e kërkesës për mendim këshillëdhënës të GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës". "Mbështetja që ka pavarësia e Kosovës u dëshmua me argumente të fuqishme që i paraqiti delegacioni ynë, po edhe të gjitha shtetet që paraqitën deklarata me shkrim apo deklarata gojore në përkrahje të ligjshmërisë së Deklaratës së Pavarësisë", theksoi Presidenti Sejdiu. Edhe kryeministri Hashim Thaçi në një seancë plenare të Kuvendit javën e kaluar tha se "Kosova pret me optimizëm mendimin këshilldhënës të GJND-së për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë dhe hyn në një fazë të re njohjesh, të fuqizimit të shtetit dhe të integrimeve euroatlantike, në një kohë kur ka implementuar mbi 85 për qind të dokumentit të Presidentit Ahtisaari". /a.ke/
KOMENTE