Kosovë-Sejdiu:Gjnd Nuk Mund Të Jetë Kundër Vullnetit Të Popullit
PRISHTINË, 20 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) nuk mund të jetë kundër vullnetit të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, tha sot Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një prononcim, para shpalljes së mendimit këshilldhënës më 22 korrik në Hagë.
"Nuk pranojmë kurrë që Kosova të hyjë në negociata për çështjen e statusit të saj, nuk pranojmë asnjëherë që territori i Kosovës të jetë në pazar dhe të bëhen shkëputje të territorit të saj apo lojra të tjera që Serbia do t'i iniciojë. Nuk pranojmë që të cënohet integriteti i brendshëm unitar i Kosovës, të cilin e ka të definuar me Kushtetutë, por natyrisht nuk pranojmë as që dikush nga jashtë të jetë diktues i jetës sonë", theksoi Presidenti kosovar, Sejdiu gjatë vizitave në Gjykatën e Pejës dhe Prizrenit.
Ai pohoi gjithashtu se, "pret që verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili pritet të bëhet i njohur të enjten, nuk do të ketë qasje tjetër përveç mbështetjes së fuqishme të argumenteve që ka deponuar Kosova, të cilat janë të parrëzueshme me të drejtën e natyrshme të një popullit që të jetojë i lirë, dhe ai popull me vullnetin e vet e ka deklaruar pavarësinë, natyrisht të mbështetur dhe të koordinuar edhe me të gjithë mbështetësit e Kosovës, të cilët kanë investuar shumë për paqen dhe stabilitetin".
Sipas tij, "pavarësia e Kosovës, e njohur deri tani nga 69 vende, është e pakthyeshme dhe e bazuar në vullnetin e një populli që të jetojë i lirë dhe me aspirim për integrim në familjen e vendeve të tjera të lira".
Gjatë vizitave në Gjykatën e Qarkut të Pejës dhe në atë të Prizrenit, Presidenti Sejdiu, mbështeti gjykatësit në realizimin e objektivit për të sjellë besim tek qytetarët, si dhe për sundimin e ligjit.
"Luftën kundër fenomeneve e bëjnë organet përgjegjëse dhe politika duhet të qëndrojë jashtë kësaj, sidomos kur është fjala për luftën antikorrupsion, që mund të jetë prezent dhe në institucione. /s.d/a.s/