English

Kubë - Shtyhet Deri Të Premten Udhëtimi I Tetë Disidentëve Në Madrid

MADRID, 20 korrik /ATSH-ANSA/ - Tetë disidentët kubanë që u liruan disa ditë më parë nga regjimi komunist dhe që pritej të udhëtonin sot drejt Madridit, do të shkojnë në Spanjë brenda ditës së premte me fluturime të ndryshme për shkak të mungesës së biletave, njoftuan për ANSA burime të ministrisë së Jashtme. "Ka shumë mundësi që ndërmjet të mërkurës dhe të premtes të mbërrijnë të gjithë në Madrid", theksuan burimet duke shpjeguar se tetë disidentët do të udhëtojnë me 35 familjarë, çka ka reduktuar mundësinë për gjetjen e biletave të udhëtimit për të gjithë ata së bashku. Tetë disidentët do t'i bashkohen grupit me 11 ish të burgosur që shkuan në Madrid disa ditë më parë. Duke cituar peshkopatën e Havanës, burimet kujtuan se 20 nga 52 të burgosurit që regjimi komunist ka garantuar se do të lirojë në një periudhë maksimale prej katër muajsh, kanë kërkuar të largohen në Spanjë. Por burimet nuk kanë informacione nëse disidendët kanë pasur kërkesa për t'u larguar në vende të tjera. Sipas Ministrisë së Jashtme, disidentët kubanë që do të shkojnë në Spanjë do të jenë gjithashtu të lirë të udhëtojnë në vende të treta. /e.v/
KOMENTE