Kukes: Tuneli I Kalimashit, Porta Lidhese Mes Shqiptareve
KUKES, 20 korrik/ATSH-R.Hoxha/. - Çdo ditë e korrikut shënon fluks të madh të lëvizjes nga Kosova në drejtim të Shqipërisë e anasjelltas.
"Është një fluks i madh, bile i paparashikuar, por që është përballuar me sukses, gjë që e tregon dhe fakti se nuk ka ndodhur asnjë aksident automobilistik, apo ngjarje tjetër e jashtëzakonshme", tha për ATSH-në zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së qarkut të Kukësit, Odeta Popa.
Një gjë e tillë konstatohet në tunelin e Kalimashit, ku në orët e mëngjesit rradha e mjeteve që presin të kalojnë zgjatet deri në 3 kilometra.
"Kjo situatë është edhe për një kohë të shkurtër, pasi pas shtatorit do të mundësohet hapja e tunelit verior, gjë që do të zgjidhë problemin", shton ajo.
Në 24 orët e fundit kanë hyrë në Shqipëri përmes doganës së Morinit 3947 automjete, prej të cilave 49 autobuzë dhe 56 kamionë të tonazhit të rëndë me mbi 14 mijë persona, ndërsa hynë në Kosovë përmes doganës së Morinit 3953 mjete të llojeve të ndryshme.
"Këto ditë lëvizja në doganën e Morinit është rritur ndjeshëm pasi kosovarët po kthehen për pushime pranë familjeve të tyre, por dhe drejt plazheve shqiptare. Pozitiv është se deri tani nuk është regjistruar asnjë aksident automobilistik", thotë Popa.
Për përballimin e fluksit të lëvizjes, në doganën e Morinit është shtuar numri i sporteleve dhe postoblloqet e përbashkëta të policisë shqiptare dhe kosovare, të cilat gjatë 24 orëve monitorojnë gjithë aksin rrugor të tunelit./a.ke/