English

Manaj: Jemi Krejtësisht Të Sigurt Se Gjnd Nuk Do Ta Mohojë Realitetin Dhe Të Drejtën E Kosovës

PRISHTINË, 20 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- "Jemi krejtësisht të sigurtë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do ta mohojë realitetin dhe të drejtën e Kosovës", tha sot zëvendëskryeministri kosovar, Ramë Manaj, në një prononcim lidhur me opinionin e pritshëm të GJND-së për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës, më 17 shkurt 2008. "Ne presim që më 22 korrik GJND-ja ta bëjë publik opinionin e saj për vlerësimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës", tha ai. "Ne jemi të vetëdijshëm se gjykata do të japë një vlerësim i cili është jodetyrues, sikundër jemi krejtësisht të sigurtë se ajo nuk do ta mohojë realitetin në Kosovë dhe të drejtën e saj për shpalljen e pavarësisë", theksoi Manaj, duke ofruar disa argumente. "Së pari, shpallja e pavarësisë është legale dhe legjitime, sepse shpreh vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe është shpallur nga Kuvendi legjitim i Kosovës, si institucion përfaqësues. Së dyti, procesi që i ka paraprirë shpalljes së pavarësisë ka qenë proces i pashmangshëm, pasi në Kosovë ka pasur një luftë në të cilën është përfshirë edhe aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO-ja", tha Manaj. Gjithashtu, vijoi ai, "ka pasur dhe një marrëveshje për tërheqjen e regjimit dhe forcave ushtarake serbe nga Kosova, me ç'ka është hapur mundësia që paralelisht të vendosen misioni civil ndërkombëtar dhe ai ushtarak në Kosovë. Për statusin e Kosovës janë zhvilluar biseda të gjata, të sponsorizuara nga bashkësia ndërkombëtare, ku z.Ahtisaari, i autorizuar nga OKB, ka hartuar një plan për zgjidhjen e statusit të Kosovës", zv.kryeministri kosovar. Nisur nga argumentat e parashtruar më lart Manaj thotë se është e qartë që arësyet për shpalljen e pavarësisë së vendit janë politike, historike dhe juridike. "Të mos harrojmë, pavarësia ka ardhur si proces edhe i shpërbërjes së shtetit jugosllav, në të cilin Kosova ka qenë element konstituiv", theksoi Manaj. Ai solli në vëmendje se "sot pavarësia është realitet i njohur nga 69 vende, duke përfshirë edhe vendet prijatare të demokracisë në botë". /a.s/
KOMENTE