English

Meta në Kabul, Shqipëria për herë të parë si anëtare e NATO-s

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kabulit në Afganistan

Kabul, 20 Korrik 2010 NOA – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kabulit, e cila u zhvillua në vijimësi të Konferencës së Londrës për Afganistanin.

Në Konferencën Ndërkombëtare të Kabulit organizuar nga Qeveria e Afganistanit në bashkëpunim me OKB, morën pjesë përfaqësues të lartë politikë nga më shumë se 70 vende, organizata ndërkombëtare, rajonale dhe institucione financiare.

Mes të pranishmëve nga Komuniteti Ndërkombëtar ishin edhe Sekretarja e Shtetit të SHBA znj. Hilari Klinton, Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë z. Franko Fratini, Ministri i Punëve të Jashtme të Francës z. Bernard Kushner, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar z. William Hague, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s z. Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së z. Ban Ki Moon, etj.

Është hera e parë që një Konferencë e Ministrave të Jashtëm zhvillohet në Kabul dhe që organizohet nga Qeveria e Afganistanit. Pas Konferencës, Komuniteti Ndërkombëtar dhe Qeveria e Afganistanit shprehën përkushtimin e tyre të përbashkët ndaj popullit afgan, si një shenjë e rinovimit të partneritetit të tyre në shërbim të sigurisë, prosperitetit dhe demokracisë në Afganistan.

Gjatë Konferencës, z. Ilir Meta mbajti një fjalim rreth kontributit që Shqipëria jep në kuadër të ruajtjes së sigurisë në Afganistan, përpjekjeve për ripajtim dhe rindërtim si dhe rreth fazave që duhen ndjekur për një tranzicion të balancuar.

Meta vlerësoi se për realizimin e një tranzicioni të pakthyeshëm ne duhet të jemi të aftë të trajtojmë siç duhet çështjet politike të cilat kanë ndikim direkt mbi sigurinë, duke bërë njëkohësisht të mundur gjetjen e zgjidhjeve të duhura, të cilat mund të zbatohen me sukses në terren.

Për këtë qëllim, - tha z.Meta, - ne duhet të integrojmë përpjekjet ushtarake dhe civile në mbështetje të institucioneve tradicionale Afgane si, Shuras dhe Jirgas, të cilat nga ana e tyre mund të ofrojnë mundësi me përfitim për një zgjidhje të re të brendshme politike.

Sigurisht që pajtimi, - theksoi z.Meta, - duhet të jetë pjesë e kësaj zgjidhjeje politike, ku rolin kryesor duhet ta luajnë vetë Afganët.

“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e rastit pas aq shumë vitesh konfliktesh; ndërkohë, ne besojmë se pajtimi duhet të jetë një kusht i domosdoshëm për një paqe të qëndrueshme. Gjithsesi, një pajtim i tillë duhet të mbështetet mbi dy kushte bazë të cilat janë të panegociueshme; denoncimi i dhunës dhe terrorizmit dhe respektimi i Kushtetutës Afgane, duke përfshirë të drejtat e grave, fëmijëve dhe pakicave”, - ka deklaruar z.Meta.

r.n/NOA

KOMENTE