Tiranë, 20 korrik, NOA – Nga Velipoja në Sarandë, ministria e Mjedisit ka urdhëruar gjobitjen e disa komunave në zonat turistike bregdetare, të cilat nuk kanë qenë rigoroze në pastrimin e plazheve nga mbetjet urbane.
Sipas të dhënave të publikuara nga drejtori i Kontrollit në Ministrinë e Mjedisit, Alfred Deshati, disa nga komunat e gjobitura për mospastrimin e plazheve të tyre nga mbeturinat urbane janë këto:
Komuna Velipojë është gjobitur me 500.000 lekë; komuna Shëngjin me 500.000 lekë; komuna ShënKoll me 500.000 lekë; komuna Ishëm me 1.000.000 lekë; bashkia Durrës me 1.000.000 lekë; firma e pastrimit në Golem me 1.000.000 lekë; firma e pastrimit në Komunën Kryevidh me 500.000 lekë; Albetrol Sh.a. Fier me 1.000.000 lekë dhe pezullim të aktivitetit për sektorin që shkakton shkarkimet e mbetjeve.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga dikasteri i Mjedisit, në këto komuna u evidentuan shkelje lidhur me hedhjen e mbeturinave urbane, jashtë vendeve të përcaktuara për depozitimin e tyre; në landfill u konstatua që mbeturinat urbane nuk trajtohen apo groposen dhe sistemohen; u gjetën depozitime të mbeturinave urbane fare pranë rrugëve të kalimtarëve si dhe u evidentuan shkarkime të ujërave të zeza në det, nga subjekte të ndryshëm, si bare, restorante dhe hoteleri.
Gjithashtu në listën e gjobëvënieve figurojnë edhe 9 subjekte private kryesisht bare, restorante dhe hoteleri në Komunën e Golemit, ku sipas ministrisë është ndërhyrë me mjete të specializuara duke prishur tubacionet e shkarkimit në det të ujërave të zeza.
Masa e pezullimit të aktivitetit të tyre deri më 31 gusht janë marrë edhe për 12 subjekte ndërtuese në Sarandë, për shkak se shkaktonin ndotje akustike në zonën e plazhit gjatë procesit të gërmimit, transportit dhe betonimit.
Sipas drejtorit të Kontrollit të Mjedisit në ministrinë e Mjedisit, Alfred Deshati, në bazë të kontrolleve të deritanishme rezulton se situata mjedisore në krahasim me sezonin turistik veror të vitit 2009, ka pasur përmirësime të dukshme, sidomos në zonën ranore.
Deshati theksoi se gjendja është përgjithësisht e kënaqshme dhe mjedisi relativisht i pastër në plazhet e Velipojës, Shëngjinit, Tales, Spillesë, Himarës dhe Sarandës.
mit/NOA