Ministria E Mjedisit, Masa Kundër Ndotjes Akustike
TIRANA, 20 Korrik/ATSH, Gjergji Mima/ - Ministria e Mjedisit ka dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave një vendim, i cili përcakton oraret e funksionimit të subjekteve që prodhojnë zhurma, me synim, aspërsimin e masave për eleminimin e zhurmave akustike në zonat urbane dhe sidomos, ato turistike.
"Për ambientet e hapura, për ditën e premte dhe të shtunë orari për aktivitetet e tyre do të jetë nga ora 19:00 deri në orën 24:00. Ditët e tjera të javës orari i aktivitetit të tyre do të jetë nga ora 19:00 deri në orën 23:00. Gjithmonë duke respektuar nivelin kufi të zhurmave i parapare në udhezimin e përbashket të ministrive të Mjedisit dhe Shendetit Publik. Për ambientet e mbyllura aktiviteti do të lejohet pa kufizim orari, duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës të parashikuar në udhëzim", bëri të ditur sot për mediat, Alfred Deshati, drejtor i kontrollit per Mjedisin në ministrinë e Mjedisit.
Videotekat, lokalet me muzikë të lartë, por dhe makinat, qepenat e dyqaneve, lehja e qeneve të rrugës, janë zhurmues në këto ditë vere më shumë se cdo stinë tjetër. Një zhurmë e durueshme për veshin e njeriut është 55 decibel gjatë ditës.
Por situata tek ne paraqitet krejt ndryshe, pasi sonometri, matësi i zhurmës, arrin deri në 90 decibel kur është kulmi i trafikut në mesditë, pasi ato që shkaktojnë zhurmë të vertete nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 11 të mbrëmjes janë makinat. I gjithë ky kaos qe hasim ne rruget e qytetit tone indirekt ndikon ne shendetin tone mendor.
Si për çdo problem tjetër që i shqetëson banorët e Tiranes, edhe për ndotjen akustike zgjidhja ekziston, madje nuk kërkon kohë dhe investim i madh. Kush kishte menduar se gjelbërimi shërben vetëm si mushkëria e qytetit, e ka gabim. Sipas specialisteve, pemët shërbejnë njëkohësisht edhe si një silenciator i shkëlqyer natyror. /n.m/