English

Muzika, 2 milionë lekë gjobë për lokalet dhe diskotekat në bregdet

Tiranë, 20 korrik, NOA – Ndërsa jemi në kulm të sezonit turistik, një nga bezditë për pushuesit e shumtë mbeten zhurmat e lokaleve në orët e vona të natës nëpër zonat turistike.

Pikërisht VKM sa i përket ndotjes akustike, zhurmave që vijnë nga lokalet e natës, oraret e vendosura, lejet dhe gjobat kundrejt shkelësve të ligjit ishin në fokus të konferencës për shtyp të të drejtorit të Kontrollit të Mjedisit, në ministrinë e Mjedisit, Alfred Deshati.

Sipas Deshatit, kjo iniciativë është ndërmarrë pikërisht për t’i dhënë zgjidhje problematikave të konstatuara në vitet e fundit, dhe veçanërisht gjatë stinës së verësqë lidhen ngushtësisht me aktivitetin e lokaleve dhe diskotekave përgjatë bregdetit, të cilat përveç problemeve shëndetësore, që sjellin me zhurmën që krijojnë, paraqesin edhe shqetësim për mjedisin në tërësi.

Në vendimin e qeverisë, janë përcaktuar oraret e funksionimit, të të gjitha subjekteve që gjenerojnë zhurmë dhe ndotje akustike, përtej normave të lejuara, dhe konform standarteve të OBSh-së.

Sipas VKM, për ambientet e hapura, të premten dhe të shtunën, orari i lejimit të aktivitetit, do të jetë nga ora 19.00 deri në orën 24.00, ndërsa për ditët e tjera të javës, orari i lejimit të aktivitetit do të jetë nga ora 19.00 deri në orën 23.00.

Për ambientet e mbyllura, aktiviteti do të lejohet pa kufizime orari, duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës, të përcaktuar në ligj.

Drejtori i Kontrollit të Mjedisit, Alfred Deshati sqaroi ndërkaq se për të gjitha rastet që do të konstatohet shkelja e dispozitave të ligjit, per mbrojtjen e mjedisit si dhe atij, për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis, sipas VKM-së, shkelësit do të dënohen me gjobë deri në 2.000.000 lekë të reja si dhe pezullim të aktivitetit.

mit/NOA

KOMENTE