English

Operacioni "Vora Ii",Sekuestrohen 85 Kg Mariuanë

TIRANË, 20 Korrik/ATSH-A.Gegvataj/.- Uniformat blu të kryeqytetit përmes operacionit të koduar "Vora II" sekuestruan 85 kg lëndë narkotike e dyshuar mariuanë, njoftoi sot në një konferencë për shtyp, Drejtori i Policisë se Tiranës, Tonin Vocaj. "Nga ky operacion u arrestuan në flagrancë Elert Latifi, 20 vjeç lindur dhe banues në Shijak dhe Rigels Kaja 22 vjeç lindur dhe banues në Durrës", tha Vocaj . Sipas tij, "dy të rinjtë u kapën në kryqëzimin e Vorës, pas një hetimi që kish zgjatur për rreth 3 muaj i organizuar me metoda speciale të hetimit". Drejtori i Policisë së kryeqytetit Tonin Vocaj nënvizoi se "nga hetimet e deritanishme, lënda narkotike vinte nga fshati Lazarat i Gjirokastrës, me destinacion qytetet e Durrësit dhe të Tiranës". Kreu i Policisë tha se gjatë operacionit për ndalimin e tyre, të arrestuarit kanë bërë rezistencë ndaj forcave të policisë, duke tentuar të largohen me shpejtësi, me automjetin tip Benz me targa të huaja". Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Rigels Kajës, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe një automatik tip kallashnikov. /f.n/
KOMENTE