English

Për një tranzicion të pakthyeshëm

Për realizimin e një tranzicioni të pakthyeshëm ne duhet të jemi të aftë të trajtojmë siç duhet çështjet politike të cilat kanë ndikim direkt mbi sigurinë, duke bërë njëkohësisht të mundur gjetjen e zgjidhjeve të duhura, të cilat mund të zbatohen me sukses në terren. Për këtë qëllim, ne duhet të integrojmë përpjekjet ushtarake dhe civile në mbështetje të institucioneve tradicionale Afgane si, Shuras dhe Jirgas, të cilat nga ana e tyre mund të ofrojnë mundësi me përfitim për një zgjidhje të re të brendshme politike

Nga Ilir Meta

Në këtë moment vendimtar për Afganistanin, kur siguria e tij mbetet një çështje jetike për Komunitetin Ndërkombëtar, ne konstatojmë me shumë kënaqësi rigjallërimin e angazhimit të Qeverisë Afgane, e cila ka marrë përsipër përgjegjësinë për të sjellë stabilitet në të gjitha provincat e vendit, nëpërmjet një përqasjeje të balancuar dhe me etapa.

Ka kaluar gjysmë viti që nga koha kur ne miratuam vendime të rëndësishme në Konferencën e Londrës, duke shfaqur përkushtim të palëkundur për respektimin e zotimeve tona dhe për t’u bërë ballë përgjegjësive që kemi marrë për një Afganistan të stabilizuar dhe të qëndrueshëm, një vend që nuk do të përdoret si burim i rrezikshëm për terrorizëm, trafikimin e paligjshëm të drogës dhe krimin ndërkombëtar.

Ne vërejmë me kënaqësi se pas operacioneve ushtarake të kohëve të fundit në terren, ekzistojnë mundësi konkrete për të sprapsur baticën e Talebanëve dhe për të dobësuar pushtetin e tyre në shumë zona të vendit.

Ne mendojmë se në këtë drejtim është absolutisht e rëndësishme që të mbështetemi në këto arritje pozitive dhe të forcojmë më tej komponentin e zhvillimit të Pranisë Ndërkombëtare në Afganistan, duke mundësuar Qeverinë Afgane dhe popullin e saj që të marrin gjithnjë e më shumë vetë përsipër pronësinë dhe drejtimin e çështjeve të tyre dhe të ardhmes së vendit.

Ne përshëndesim në veçanti partneritetin në rritje ndërmjet ISAF-it dhe Ushtrisë Kombëtare Afgane dhe të gjitha përpjekjet për forcimin e kapaciteteve të tyre luftarake. Sigurisht që ky partneritet i ripërtërirë është me përfitime të ndërsjella; Ushtria Kombëtare Afgane përfiton nga profesionalizmi dhe aftësitë e ISAF-it, ndërsa ne duhet të mësojmë nga njohuritë e saj në terren, sidomos në terma njerëzore dhe humane.

Për realizimin e një tranzicioni të pakthyeshëm ne duhet të jemi të aftë të trajtojmë siç duhet çështjet politike të cilat kanë ndikim direkt mbi sigurinë, duke bërë njëkohësisht të mundur gjetjen e zgjidhjeve të duhura, të cilat mund të zbatohen me sukses në terren. Për këtë qëllim, ne duhet të integrojmë përpjekjet ushtarake dhe civile në mbështetje të institucioneve tradicionale Afgane si, Shuras dhe Jirgas, të cilat nga ana e tyre mund të ofrojnë mundësi me përfitim për një zgjidhje të re të brendshme politike.

Sigurisht që pajtimi duhet të jetë pjesë e kësaj zgjidhjeje politike, ku rolin kryesor duhet ta luajnë vetë Afganët. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e rastit pas aq shumë vitesh konfliktesh; ndërkohë, ne besojmë se pajtimi duhet të jetë një kusht i domosdoshëm për një paqe të qëndrueshme. Gjithsesi, një pajtim i tillë duhet të mbështetet mbi dy kushte bazë të cilat janë të panegociueshme; denoncimi i dhunës dhe terrorizmit dhe respektimi i Kushtetutës Afgane, duke përfshirë të drejtat e grave, fëmijëve dhe pakicave.

Komuniteti Ndërkombëtar duhet ta ndihmojë, lehtësojë dhe nxisë këtë proces nëpërmjet ndërtimit të institucioneve civile, trajnimit, arsimimit dhe përmirësimit të infrastrukturës së domosdoshme fizike.

Kësisoj, tranzicioni në Afganistan do të jetë i pakthyeshëm, duke çuar në një rol drejtues të Afganëve dhe në një rol mbështetës për komunitetin ndërkombëtar. Ky i fundit duhet të japë mbështetje në fusha parësore, si trajnimi i policisë,siguria e kufijve dhe trajnimi i punonjësve të doganave, lufta kundër korrupsionit, menaxhimi i integruar i kufijve, etj.

Krijimi i një kuadri të favorshëm rajonal është gjithashtu tejet i rëndësishëm për suksesin e përpjekjeve tona.

Ne besojmë se ka rëndësi të jashtëzakonshme që Afganistani të punojë ngushtësisht me fqinjët e tij drejt një bashkëpunimi aktiv për sigurinë e kufijve të vet, parandalimin e trafikut të drogës dhe lëndëve narkotike dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme ndërkombëtare.

Çelësi i një rezultanteje të tillë është Pakistani, me të cilin ne besojmë se Afganistani përballet me të njëjtat sfida kryesore të përbashkëta, të cilat nga ana e tyre kërkojnë një qasje të përbashkët në identifikimin e rreziqeve dhe interesave të përbashkëta mbi të cilat mund të ndërtohet mirëbesimi i përbashkët.

***

Më lejoni që tani të ndaj bashkë me ju kontributin kombëtar Shqiptar në Afganistan, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Ndihmëse të Sigurisë. Në përputhje me angazhimin e saj politik, vendi im është përfshirë në Afganistanin Post-Taleban në vitin 2002, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm se moslejimi i bazave mbrojtëse për grupet terroriste dhe ndihmesa për një Afganistan stabël, demokratik dhe të begatë, do të ishte një detyrë afatgjatë.

Gjatë kësaj periudhe kohore, Forcat e Armatosura Shqiptare kane dislokuar në terren një numër të përgjithshëm prej 1060 trupa ushtarake; 251 prej tyre tani janë vendosur në zonat më të ndjeshme të vendit.

Duke qenë të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara, dhe në përputhje me detyrimet si anëtar i ri i NATO-s, ne kemi vendosur të shtojmë pjesëmarrjen tonë në ISAF me një kontingjent Shqiptar shtesë prej 85 trupash ushtarake. Prej tyre, 44 do të jenë trupa luftarake të cilat do të angazhohen në operacione të rrezikshme luftarake.

Në vijim, si shenjë e rëndësisë që ne i kushtojmë zhvillimeve civile në Afganistan dhe krijimit të kapaciteteve nga ana e tij, vendi im do të ofrojë 100 bursa studimi për studentë Afganë dhe do të caktojë 30 ekspertë në kuadrin e Ekipeve Operative të Kujdestarisë Policore, Ekipeve Ndërlidhëse, Ekipeve Provizore të Rindërtimit dhe Misionit të Trajnimit të NATO-s në Afganistan.

Gjithashtu, kohët e fundit, vendet anëtare të Kartës së Adriatikut, një nismë kjo tejet e suksesshme e pesë vendeve Ballkanike dhe SHBA kanë rënë dakord të shohin mundësinë e krijimit të një ekipi të përbashkët të trajnuesve ushtarakë për të vepruar në Afganistan.

Edhe pse këto shifra mund të duken modeste, ato kanë pjesën e tyre të kontributit në realizimin e synimeve tërësore të Komunitetit Ndërkombëtar lidhur me ndihmesën e tij për paqe dhe begati të qëndrueshme në Afganistan.

Dëshiroj ta mbyll ndërhyrjen time duke theksuar edhe njëherë besimin tonë se tranzicioni në Afganistan do të jetë i pakthyeshëm, duke ia kaluar shkallë - shkallë vetë Afganëve rolin drejtues. Mbajtja e kësaj Konference të rëndësishme në Kabul është një hap shumë i mirë në këtë drejtim; ndaj dëshiroj edhe njëherë të falënderoj Autoritetet Afgane për organizimin dhe mikpritjen gjatë kësaj ngjarjeje të suksesshme.

(*) Fjala e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, në Konferencën Ndërkombëtare të Kabulit

KOMENTE