Poloni - Partia E Kaczynskit Nuk Përjashton Mundësinë E Një Krimi Për Aksidentin E Smolenskut
VARSHAVË, 20 korrik /ATSH-AFP/ - Partia konservatore polake e Jaroslaw Kaczynskit ngriti sot një grup hetimi parlamentar për sqarimin e shkaqeve të aksidentit ajror të avionit presidencial në Smolensk në Rusi, pa përjashtuar hipotezat e krimit apo të ndonjë sulmi terrorist.
"Ne do të analizojmë çdo hipotezë, veçanërisht atë të sulmit terrorist me natyrë kriminale'', deklaroi për shtypin, Antoni Macierewicz, një deputet radikal nacionalist i partisë ''Ligj dhe Drejtësi'' (PIS), që do të drejtojë grupin e punës.
Avioni ''Tupolev 154'' që transportonte më 10 prill presidentin, Lech Kaczynski dhe zyrtarë të tjerë polakë u rrëzua në Smolensk duke vrarë të paktën 96 persona.
Macierewicz, ish-ministër i ngarkuar për shërbimet speciale në qeverinë e Jaroslaw Kaczynski, vëllai binjak i ish-presidentit, përdori shprehjen ''krimi në Smolensk".
Ai shtoi se do ta zhvillonte edhe më vonë këtë tezë kur grupi i tij të ketë përfunduar punimet.
Rreth 100 deputetë dhe senatorë të PIS morën pjesë në takimin e grupit.
Partia Liberale (PO) në pushtet si dhe opozita socialdemokrate bojkotuan iniciativën e konservatorëve./
/ec/ a.jor.