English

Pranimet Në Universitet- Degët Pas Konsultimit Me Guidën E Maturës

TIRANE, 20 Korrik /ATSH/-Notat kaluese në të gjitha provimet e maturës janë çelësi kryesor për të vijuar procedurën e aplikimit për pranimet në universitet gjatë vitit akademik 2010-2011. Maturantët që nuk kanë shlyer detyrimet në njërin nga provimet, qofshin këto me zgjedhje apo të detyruara, nuk kanë të drejtë të plotësojnë formularin A-2 për të renditur dhjetë degët më të preferuara të universiteteve, i cili u publikua sot. Rregullorja e provimeve e ka të specifikuar se do të vijojnë konkurrimin vetëm ata maturantë që janë klasifikuar kalues në të katër provimet, ndërsa pjesa tjetër do të duhet të shlyejnë detyrimet e mbetura për të konkurruar sërish në vitin pasardhës. Veç rezultatet të larta të arritura në provime një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e kandidatëve fitues do të luajnë edhe koeficientet e shkollës së mesme dhe të degës së fakultetit si dhe nota mesatare e shkollës së mesme. Maturantët që nuk kanë rezultatet të larta në provimet me zgjedhje, po ashtu edhe notë mesatare të lartë të shkollës së mesme, nuk duhet të listojnë si preferenca të para ato degë që janë më të kërkuarat, por që për t'i fituar duhen rezultate të larta. Për këtë specialistët e Ministrisë së Arsimit tregojnë se maturantët do të kenë më shumë mundësi për t'u shpallur fitues nëse zgjedhin degët sipas nivelit të pikëve të marra. Kategoritë e maturantëve që kanë përzgjedhur akademitë artistike apo ato sportive për ndjekjen e studimeve të larta duhet të kenë kujdes në listimin e preferencave në formularin A-2. Edhe konkurset do të zhvillohen në muajin shtator, kandidatët që do të aplikojnë për këto degë duhet të plotësojnë detyrimisht formularin e preferencave. Ata që nuk e plotësojnë formularin sipas afateve të përcaktuara, do të humbasin të drejtën për t'u pranuar në shkollat e larta publike për vitin akademik 2010-2011. Marrja e pikëve maksimale në konkurs do të përcaktojë edhe kandidatët që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet e larta pranë Akademisë së Arteve si dhe asaj të sporteve. Sipas rregullores, pjesa speciale zë rreth 80 për qind të peshës së renditjes së kandidatëve fitues për universitetet, ndërsa 20-përqindëshi i mbetur i takon mesatares. Specialistët këshillojnë maturantët që para se të rendisin preferencat, ata duhet të bëjnë një llogaritje të përafërt të pikëve që keni grumbulluar nga rezultatet e mesatares së shkollës së mesme dhe provimeve të detyruara (gjuhë-letërsi dhe matematikë) dhe ato të lëndëve me zgjedhje. Pas kësaj ata duhet të konsultohen te guida e Maturës Shtetërore 2009 pikët minimale për çdo program studimi që kanë bërë fitues kandidatët e një viti më parë./e.gj/f.n/
KOMENTE