Projekti Maqedonas, "Hops" Fiton Çmimin Ndërkombëtar Për Respektimin E Të Drejtave Të Njeriut Në Hiv/Aids
VIENA, 20 Korrik/ATSH-Eriola Cuko/ - Projekti "Opsionet e Shëndetshme" i Shkupit (HOPS) është fituesi i Çmimit Ndërkombëtar për Veprime në drejtim të të drejtave të njeriut për HIV/AIDS, dhënë nga Rrjeti Kanadez Ligjor për HIV/AIDS dhe Vëzhgimi i të Drejtave të Njeriut.
Lajmi u bë i ditur sot gjatë punimeve të Konferencës Ndërkombëtare për HIV/AIDS.
Në një konferencë për mediat, Richard Elliott, drejtor ekzekutiv i Rrjetit Kanadez Ligjor për HIV/AIDS tha se "punëtoret e seksit përballen me abuzimet në të drejtat e njeriut, duke përfshirë mohimin diskriminues të dhënies së shërbimeve shëndetësore, ngacmimet, dhunën seksuale dhe fizike, etj".
Sipas tij, "ky çmim njeh kontributin e madh të HOPS për të kërkuar drejtësi për punëtoret e seksit dhe përmirësuar aksesin e tyre në shërbimet shëndetësore, sociale dhe ligjore në Maqedoni".
Vlatko Dekov, drejtor ekzekutiv i HOPS tha se "jam krenar që advokacia jonë ka kontribuar për ndryshimin e politikave, për më tepër që aktivitetet tona në terren dhe qendër kanë inkurajuar sjellje më të sigurta midis punëtorëve të seksit në Maqedoni, si dhe që ndihmuan në krijimin e një sensi të komunitetit dhe fuqizim të tij për punëtoret e seksit, përdoruesit e drogave dhe grupet e tjera të margjinalizuara".
Çmimi i përvitshëm për veprime në drejtim të të drejtave të njeriut për HIV/AIDS është themeluar në 2002.
Konferenca Ndërkombëtare e HIV/AIDS prezanton forumin, ku fokusohet vëmendja e gjerë ndaj abuzimit të të drejtave të njeriut ndaj punëtoreve të seksit dhe grupeve të tjera vulnerabël për t'u infektuar nga HIV.
"Politikat e dhunës ndaj punëtorëve të seksit rrisin mundësinë e infektimit ndaj HIV dhe i largon ato nga aksesi për kujdes dhe trajtim', tha Joseph Amon, drejtor i Programit për të Drejtat e Njeriut dhe Shëndetin në Organizatën për Vëzhgimin e të Drejtave të Njeriut.
HOPS, një organizatë e shoqërisë civile nisi punën në 1997 në Shkup dhe që prej kësaj kohe, operon me sukses në programet e reduktimit të dëmeve dhe parandalimin e përhapjes së HIV/AIDS dhe sëmundjeve të tjera të transmetueshme seksuale e infeksionet e lindura të gjakut.
HOPS operon me programe të ndryshme për rintegrimin social të të rinjve dhe grupeve vulnerabël sikurse përdoruesit e drogave dhe punëtoreve të seksit dhe familjeve të tyre.
"Rrjeti Kanadez Ligjor për HIV/AIDS nuk është prezent në Shqipëri, por është në planet e këtij rrjeti për të bashkëpunuar me çdo vend lidhur me të drejtat e njeriut", tha për ATSH-në Elliott./n.m/