English

Protesta Të Paligjshme Në Lezhë, Arrestohen Disa Shtetas

LEZHË, 20 Korrik/ATSJH-G. Marku/.- Një grup shtetasish me banim në rrethin e Lezhës janë arrestuar sot nga forcat e policisë së Lezhës për veprat penale të "Pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit" dhe "Organizim e pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjeshme". Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë thanë për ATSH-në se, se këto protesta të kryera mbrëmë në qytetin e Lezhës rezultojnë të paligjshme ndaj dhe për këtë janë vënë në pranga disa shtetas. Gjatë orëve të paradrekes së ditës së sotme, janë arrestuar shtetasit, Dod Shtjefni 50 vjeç, Ernest Ceka 39 vjeç, Klodian Berisha 18 vjeç, Alfons Filipi 21 vjeç, si dhe shtetasi me iniciale I.C dhe M. M, përkatësisht 17 dhe 16 vjeç, që të gjithë banues në Lezhë. Gjithashtu, njoftimi në fjalë bën të ditur se ka filluar proçedimi në gjendje të lirë për shtetasit me iniciale, J.Gj 16 vjeç, lindur dhe banues në Bathore-Tiranë, F.N 15 vjeç dhe Mark Përkola 48 vjeç, banues në Lezhë. Sipas policisë, arrestimi i tyre është bërë pasi shtetasit në fjalë mbrëmjen e djeshme, në bashkëpunim me një grup prej rreth 35-40 vetash kanë protestuar për ngjarjen e tre ditëve më parë ku humbi jetën shtetasi Armando Skëndaj. Protestuesit mbanin në duar pankarta, ku shkruheshin parulla kundër policisë. Burimet policore sqarojnë më pas grumbulli i protestuesve ka vazhduar protesten në rrugën nacionale, në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Shëngjinit" ku dhe kanë bllokuar aksin rrugor Lezhë-Shkodër duke penguar qarkullimin e mjeteve dhe duke përmbysur një mjet të markës Wolxvageën-Bora, me targa TR 9780 F, që i përkiste një punonjesi të Gardës së R.SH-së. Pas këtyre veprimeve grumbulli i protestuesve është kthyer para Komisariatit të Policisë Lezhë duke hedhur parulla dhe kryer veprime vandale, duke qëlluar me gurë e sende të tjera ambientet e jashtme të komisariatit. Lidhur me këtë ngjarje nga ana e policisë janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme proçeduriale, ku janë administruar filmime të ndryshme dhe ku është bërë identifikimi i personave përgjegjës, kapja dhe arrestimi i tyre. Për të gjitha këto, po punohet për identifikimin dhe vënien para përgjegjesisë ligjore të autorëve të tjerë të ngjarjes./a.s/
KOMENTE