English

PS: Skandali “Prifti”, ja të tjera fakte për pasurimin marramendës

Tiranë, 20 Korrik 2010 NOA - Tre drejtues të PS, dy deputetët Besnik Baraj, Ermonela Felaj dhe anëtarja e kryesisë Lindita Nikolla kanë denoncuar para kryeministrisë atë që e quajnë skandalin “numër dy” të Ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti. Ata kanë denoncuar dy pasuri të tjera të Dritan Priftit me vlera miliona euro, duke i kërkuar Prokurorisë të hetojë.

Deputeti socialist Besnik Baraj foli për atë që e cilësoi aferën numër 2 të Dritan Priftit gjatë vitit në të cilin ai është ministër i ekonomisë së shqiptarëve:

“Sot është publikuar një tjetër skandal për Dritan Priftin. Përveç 1.8 milion eurove të fituara si me magji në 3 muaj të vetëm si ministër i Sali Berishës, Dritan Prifti nuk ka deklaruar në deklaratën e pasurisë së tij një kat të tërë pallati me sipërfaqe 400 metra katrorë në një nga zonat më luksoze të Tiranë, si dhe një vilë që po ndërton në Lundër vlera e së cilës llogaritet në mbi 1 milion euro. Këto janë përmasat skandaloze të korrupsionit të ministrit Prifti dhe qeverisë Berisha-Meta.”

Ndërsa deputetja Ermonela Felaj i ka bërë thirrje Prokurorisë të mos heshtë por të hetojë për këtë rast korruptim siç e cilësoi ajo:

“Prokuroria dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë duhet të nisin menjëherë hetimet për aferën që e ka bërë milioner brenda natës Ministrin e Ekonomisë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një fitim lotarie, por me një rast të qartë korrupsioni. Pretendimi se pa investuar asgjë, Prifti jo vetëm që ka fituar miliona euro, por edhe nuk i detyrohet asgjë shteti shqiptar është skandaloz. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo tani na del që ministri na zotëroka edhe qindra metra katrorë në mes të Tiranës e një vilë luksoze në Lundër, të cilat as që ka marrë mundimin t’i deklarojë.”

Anëtarja e Kryesisë së PS, Lindita Nikolla u shpreh se sipas saj, Prifti shndërrohet në supermilioner brenda një viti duke qenë ministër i ekonomisë, ndërsa shqiptarëve iu rrënohet ekonomia e tyre:

“Kjo afera, ku janë përfshirë ministrat e LSI, tregon qartë se si funksionon korrupsioni në qeverinë Berisha. Dritan Prifti në një vit si ministër fitoi 2.5 miliardë lekë, në një kohë që ekonomia e vendit ka marrë të tatëpjetën dhe shqiptarët vuajnë përditë e më shumë vështirësitë ekonomike. Dritan Prifti ndërton vila milionere e blen apartamente luksoze në mes të Tiranës, ndërkohë që një popull i tërë mezi arrin të përballojë rritjen e çmimeve. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe drejtësia shqiptare duhet menjëherë të vihet në lëvizje për të hetuar ministrin Prifti.”

r.n/NOA

KOMENTE