English

Qendra “Kurajo”: Shifrat e aksidenteve bilanc lufte, institucionet të reagojnë

Tiranë, 20 Korrik, NOA – Shifrat e aksidenteve rrugore janë kthyer në bilance lufte, duke shtruar nevojën e një plani kombëtar dhe një përgjegjshmërie më të madhe për sigurinë në rrugë.

Ky është apeli që ngre Qendra Mediatike “Kurajo”, përmes një deklarate të saj për shtyp, ku nisur nga pasoja fatale e aksidentit rrugor të Gjegjanit, pohon se nuk mjafton që në situata të tilla, tragjeditë të lidhen thjesht dhe vetëm me gabimin njerëzor.

“Vetëm disa muaj më parë, një raport i Bankës Botërore vinte në dukje se dëmet nga aksidentet në vend kapin shifrën prej mbi 100 milionë euro në vit. Ndërsa shifra që duhet për riparimet e mureve mbrojtëse, sinjalistikën rrugore dhe gjithë ndërhyrjet e nevojshme në akset kombëtare dhe në pikat më problematike në vend kushtojnë rreth 60 milionë euro”, citon deklarata e “Kurajo”-s.

Duke shtuar faktin se “është e pamjaftueshme masa e fundit për rritjen e gjobave ndaj drejtuesve të automjeteve” dhe “se ka ardhur koha që ligjvënësit duhet të ndryshojnë ligjet, duke i bërë ato taksative për të gjithë drejtuesit e mjeteve që marrin jetë të pafajshme”.

“Nuk ka statistika sa prej tyre kanë rimarrë patentat pas aksidenteve me pasojë vdekjen, por edhe persona publikë të dënuar për vdekje aksidentale qarkullojnë lirshëm rrugëve, duke na bërë karshillëk me makinat luksoze. Kjo është e papranueshme dhe një fyerje për familjarët e viktimave, për ligjet e vendit dhe për opinionin. Në asnjë vend të botës ai që merr një jetë njeriu nuk e rimerr më patentën e drejtimit të automjetit”, është një problematikë tjetër që ngre ky institucion mediatik.

Duke e përmbyllur deklaratën e saj me faktin se është e nevojshme që të ndërmerren investimet urgjente të sinjalistikës dhe të mureve mbrojtëse në të gjitha akset dhe rrugët e vendit, si edhe ashpërsimet e ligjeve, të cilat janë bërë shkak për aksidente me pasoje deri në vdekjen e mijëra të pafajshmëve.

n.e/NOA

KOMENTE