English

Rama: Qeveria do të detyrohet rishtas të rishikojë buxhetin, ai grabit në funksion të oborrit

Tiranë, 20 korrik, NOA – Përgjatë 30 minutash, lideri i opozitës Edi Rama ka kritikuar ashpër miratimin e mbrëmshëm të buxhetit të rishikuar që do të shkurtojë plot 80 milion dollarë investime.

Kryesocialisti Rama theksoi se buxheti i rishikuar, për të cilin opozita ka dhënë rekomandime qysh në nëntorin e 2009-ës, nuk zgjidh asgjë, përveçse u tregon shqiptarëve se kriza ekonomike është reale dhe e prekshme, një buxhet që më së shumti shton krizën ekonomike, e mbërritur në këtë pikë të rëndë vetëm për shkak të korrupsionit që ka kapur fund e krye shtetin.

Duke iu referuar rekomandimeve të opozitës për krizën ekonomike, Rama tha se pasojat po ndihen sot në kockën e çdo familjeje shqiptare, ndërsa kryeministri Berisha përpiqet ta mbyllë këtë gropë ekonomike me prerje shiritash mashtrues.

Rama nënvizoi në këtë dalje publike se “Qeveria do të jetë e detyruar të dalë rishtas para kuvendit, për rishikimin e këtij buxheti, madje përpara fundit të vitit, sepse kriza është shumë më e rëndë nga sa na i tregojnë shifrat”.

Rama rishtas ka deklaruar se shifrat reale të krizës ekonomike, të borxhit publik, të defiçitit financiar mbahen të fshehura nga trinomi, Qeveri-BK-INSTAT.

“Ky është mbulim i së vërtetës, shifrave dhe fakteve reale të ekonomisë, një krizë e gjithanshme që ka kapur shtetin, i ngjashëm me atë të fshehjes së votës në kutitë e mbyllura të 28 qershorit”, deklaroi kryetari i PS-së, Rama.

Sipas Ramës, 80 milionë të shkurtuara nga buxheti do të thotë asnjë lekë për kompanitë private për punët e kryera, asnjë lek për bankat e huaja, dhe asnjë punë të re, pasi kjo manovër e qeverisë, sipas Ramës sakrifikoi si bankat që dhanë fonde si kompanitë që kryen punime në rrugët e vendit.

Edi Rama iu referua rishtas fondit të qeverisë prej 3.2 miliard eurosh dhënë nga investitorë të huaj, një shumë që sipas Ramës është një gënjeshtër e Berishës, ndaj dhe nuk është futur në buxhetin në fjalë, pasi nuk ekziston.

Në 6 muaj tha Rama nuk është paguar asnjë qindarkë për kompensimin e qytetarëve; asnjë qindarkë asistence për 60 mijë familjet e personave me aftësi të kufizuara, apo

96 mijë familjet në gjendje të rëndë ekonomike.

“Janë 800 mijë shqiptarë të papunë në Shqipëri, të pasiguruar, pasi është pikërisht plaga e papunësisë që nuk i lë shqiptarët të sigurohen”, nënvizoi Rama.

Lideri i opozitës, nxori në pah edhe njëherë defiçitin, i cili po thellohet përditë, duke u rritur 2 herë më shumë se kapaciteti për të mbledhur të ardhurat.

Vetëm për këtë 6 mujor defiçiti arriti në 260 milion dollarë, që nëkupton sipas Ramës, mosrealizim në çdo zë të doganave.

Një tjetër plagë e kësaj krize është borxhi publik, i cili është deklaruar 61 përqind, por pa faturat e papaguara ndaj kategorive të ndryshme, që sipas Ramës evidenton një fkat dramatik, se borxhi publik, i fshehur nga qeveria mund të jetë edhe mbi 100 përqind.

Rama ka hedhur akuza edhe ndaj kryetares së Kuvendit, e cila përfiton të ardhura shtesë sepse ka deklaruar se banon në Shkodër, ndërsa të gjithë e dinë se jeton në qendër të ish bllokut.

Edi Rama deklaroi ndërkaq se “Vetëm opozita e sotme do të mund ta trajtojë seriozisht këtë plagë, në mënyrë të sigurt, pasi kemi mbërritur në një pikë kritike ku qytetarët nuk shohin dritë në fund të tunelit”.

Duke thënë se të ardhurat e 6 mujorit të parë të vitit u rritën po aq sa dhe inflacioni, pra thënë shkurt zero përqind, Rama deklaroi se kjo që po bën qeveria është grabitje në funksion të një oborri në pushtet.

Sipas Ramës, gënjeshtra më e fundit është edhe ajo e aseteve të ushtrisë, që janë troje dhe në pika shumë strategjike, të cilat janë futur në rrugën e tjetërsimit, në të njëjtat duar, që po tjetërsojnë gjithçka, për përfitim maksimal.

Rama garantoi qytetarët se “është e sigurt që ne do të bëjnë transparencën e tjetërsimit të të gjitha akteve në dëm të pronave publike, të përfituara privatisht në dëm të shtetit, dhe se do të anullojmë të gjitha kontratat e firmosura mbi këto tjetërsime”.

Për ta përmbyllur këtë dalje nga selia rozë lideri i opozitës Edi Rama tha se “Ne po jetojmë në një shtet mafioz”.

mit/NOA

KOMENTE