Sport-Futboll/ Dinamo, Fitorja Nuk Mjafton Për Kualifikimin Në Champions League
TIRANË, 20 Korrik/ ATSH-Gjergji Mima/. - Dinamo ka fituar sonte ndeshjen e kthimit në "Qemal Stafa", ndaj FC Sherif Tiraspolit, me rezultatin 1-0, por kjo nuk ka mjaftuar që kampionët e Shqipërisë të vijojnë më tej në Ligën e Kampioneve, sepse humbja në ndeshjen e parë, me rezultatin 3-1, u ka dhënë mundësinë moldavëve për t'u përballur në turin tjetër me Dinamon e Zgrebit.
Kështu rezultati total i të dyja ndeshjeve është 3-2 për FC Sherif, që kualifikohet për më tej, ndërkohë që në ndeshjen e kthimit, në kryeqytetin shqiptar, nuk ka bërë shumë gjëra, por vetëm është munduar të vonojë sa të mundej lojën dhe të mbronte epërsinë e sfidës së parë.
Dinamo ka luajtur fort, e mobilizuar, dhe e ka gjetur golin në minutën e 18-të të ndeshjes, me anë të Emiljano Vilës, që ka rritur kështu edhe moralin e bluve për një rezultat pozitiv dhe të mjaftueshëm për t'u kualifikuar. Por, pavarësisht dominancës së krijuar nga Dinamo në tërë kohën e ndeshjes, ka munguar konkludimi në rastet e tjera, që gjithsesi nuk kanë munguar në portën e moldavëve.
Por mungesa e sulmuesit kryesor të bluve, Elis Bakaj, që u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e parë, ka bërë që goli i dytë, ai i kualifikimit, të mos dilte në dritë.
Emocionues dhe për t'u evidentuar ka qenë aktivizimi i Gjergji Muzakës, pikërisht në një moment të dhimshëm dhe fatekqësie të madhe për të, që ka humbur babain e tij, të cilin e ka përcjellë një ditë para për në banesën e fundit. Talenti i futbollit shqiptar ka dalë mbi dhimbjen dhe ka vendosur t'i japë një dorë Dinamos së tij, ku ka kaluar këtë sezon, por nuk ka mjaftuar edhe ai.
Pavarësisht lojës së mirë dhe dominuese, në gjysmëfushën e miqve, Dinamo nuk ka shkuar dot më tej se fitorja minimale, 1-0 ndaj FC Sherif, duke i thënë lamtumirë Ligës së Kampioneve për këtë edicion.
E drejta për të vijuar më tej u takon moldavëve të FC Sherif Tiraspolit, që në stadiumin "Qemal Stafa", në ndeshjen e kthimit, nuk paraqitën një lojë të mirë. Madje, shfrytëzimi i gabimeve të Dinamos, në ndeshjen e parë, vendosi edhe fatin e skuadrës që u kualifikua.
Nëse Pisha dhe Hidi nuk do të bënin ato dy gabime fatale në ndeshjen e luajtur një javë më parë në Tiraspol, ku pësuan edhe dy gola, FC Sherif nuk do të kishte kaluar dot më tej, por kampionët e Shqipërisë do të kishin nderin të ballafaqoheshin më tej me Dinamon e Zagrebit.
Liga e Kampioneve, turi i dytë
Stadiumi Kombëtar "Qemal Stafa", Tiranë
Dinamo - FC Sherif Tiraspol 1-0 (1-3)
Shënues: Vila 18'
Kartonë të verdhë: Putinçanin, Vila, Sosa / Fred, Brankovic
Dinamo: Isli Hidi, Arian Pisha, Erion Xhafa (Roland Peqini 72'), Nestor Martinena, Emiljano Vila, Renato Malota (Esteban García 65'), Gjergj Muzaka (Asion Daja 87'), Marko Putinçanin, Lucas Malacarne, Rafael Sosa, Fation Sefa. Trajnerë: Luis Manuel Blanco (Argjentinë)
Sherif Tiraspol: Vladislav Stoyanov (GK), Vladimir Volkov, Vazha Tarkhnishvili, Baco Nikolic (Amath Diedhiou 46'), Jimy França, Aleksandr Erokhin, Ognjen Vranjes, Vitalie Bulat (Fred 57'), Jose Nadson, Vladimir Brankovic, Milos Adamovic (Miral Samardzic 80'). Trajner: Andrey Sasnitski (Bjellorusi)
/f.n/