English

Sport-Futboll/ Dinamo Kërkon Përmbysjen E Rezultatit Ndaj Sherif Tiraspol

TIRANË, 20 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Dinamo do të përpiqet sot në orën 18:00, në stadiumin kombëtar 'Qemal Stafa", të përmbysë humbjen 3-1 të ndeshjes së parë ndaj kampionëve moldavë të Sherif Tiraspolit, në Champions League. Në historinë e saj evropiane, Dinamo i ka përmbysur vetëm një herë shifrat e ndeshjes së parë për të përparuar më tej në kompeticion. Si për koincidencë, kanë qenë pikërisht shifrat 3-1 ato që blutë kapërcyen. 21 vjet më parë, më 16 gusht 1989, Dinamo, fituese e Kupës së Shqipërisë, u mund 3-1 nga skuadra bullgare Çernomorets, për turin e parë kualifikues të Kupës së Kupave. Goli i shënuar nga Sulejman Demollari u dha shpresa bluve dhe në ndeshjen e kthimit erdhi përmbysja. Më 30 gusht, Dinamo, pas një pjese të parë pa gola, shpërtheu në të dytën me një poker që u hap nga Agim Canaj. Mesfushori shënoi me një goditje të fortë nga jashtë zonës në minutën e 46-të. Bluve u duhej edhe një gol tjetër, të cilin e gjetën me Eduard Abazin në minutën e 62-të. Gjashtë minuta më pas, Adrian Jançe shënoi golin e sigurisë, ndërsa tri minuta pas tij ishte Demollari ai që e bëri ndeshjen praktikisht të paarritshme për bullgarët. Një tjetër rastësi midis asaj kohe dhe sot është emri i kundërshtarit në turin pasardhës. Atëherë blutë u ndeshën me Dinamon e Bukureshtit, që më vonë do të bëhej skuadra e Demollarit, ndërsa tani, në rast kualifikimi, kampionen e Shqipërisë e pret kampionia e Kroacisë, Dinamo Zagreb, skuadra e Emiljano Vilës, i huazuar në skuadrën shqiptare. Ndërkohë, vitin e kaluar Dinamo tentoi të përmbyste shifrat 4-1 të ndeshjes së parë me Kysysi Lahti, por shkoi deri në 2-0 dhe finlandezët kaluan më tej. Sot, shifra të tilla janë të mjaftueshme për të kaluar blutë. /a.ke/
KOMENTE