English

Topalli nga Gjeneva, thirrje vendeve të botës: Njihni pavarësinë e Kosovës

Gjenevë, 20 Korrik, NOA – “Të njihet pavarësia e Kosovës nga vendet që nuk e kanë bërë këtë gjë deri tani, pasi ajo është një realitet i pakthyeshëm”.

Këtë thirrje, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e ka drejtuar sot publikisht gjatë fjalimit të sapombajtur në konferencën e kryeparlamentarëve të Botës, që po mbahet aktualisht në Gjenevë të Zvicrës.

Duke prezantuar fakte nga historia e Shqipërisë dhe e Kosovës, ajo tha se këto dy vende përballen me të dhëna tronditëse, siç ka qenë diktatura më e ashpër e përjetuar prej së parës dhe gjenocidi i rëndë nga pala serbe, prej së dytës.

Dhe pikërisht për këtë arsye, sipas Topallit, këto dy vende meritojnë një të ardhme më të mirë, e cila do të mund të realizohet edhe në kuadrin e aspiratës së tyre të përbashkët për tu integruar në strukturat e Bashkimit Evropian.

“Shqiptarët janë evropianë”, tha me krenari Topalli, në këtë aktivitet të lartë të legjislativit në rang ndërkombëtar, duke shtuar se ata meritojnë të pretendojnë që një ditë të jenë anëtarë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.

Në fund, ajo citoi se bota do të vazhdojë të përballet me sfida të vazhdueshme për të ruajtur rendin e saj, duke përmendur globalizmin etj.

E në këtë kuadër, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se bashkëpunimi ndërparlamentar përbën një prioritet duke shtuar se Shqipëria mbetet e gatshme të japë kontributin e saj.

n.e/NOA

KOMENTE