Durrës, 20 Korrik, NOA – Sherri banal për një celular të humbur, do t’i rrëmbente jetën pronarit të lokalit “Diaspora” në qytetin e Durrësit.
Ngjarja e rëndë raportohet nga burimet policore të qytetit bregdetar për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se viktima ishte Agim Seci, 50-vjeç me origjinë nga Tropoja dhe që prej shumë vitesh kishte jetuar në Gjermani, por që vitet e fundit njihej si pronar i lokal “Diaspora” në Durrës.
Mësohet se ekzekutimi ndaj tij është kryer në orët e para të mëngjesit të sotëm, saktësisht rreth orës 04:00 duke zbardhur dhe siç konfirmon deri tani grupi hetimor, mbi shkaqet e ngjarjes, shkak për këtë, është bërë një sherr banal për humbjen e një celulari.
Autori i ngjarjes, ende i paidentifikuar, gjatë orëve të mbrëmjes e ka frekuentuar lokalin e viktimës, por aty i ka humbur një celular, fakt të cilin drejtuesit e lokalit ia kanë mohuar.
E ka mjaftuar kjo, që klienti i panjohur të rikthehet në lokal në orët e para të mëngjesit, duke e qëlluar me armë në bark pronarin e lokalit, duke i shkaktuar menjëherë vdekjen, pa mundur që ai të arrijë dot i gjallë në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes, i cili sipas të dhënave paraprake rezulton të jetë nga zona e Shijakut.
n.e/NOA