Uashington, 20 Korrik, NOA – “Uashington Post” këto ditë prezanton rezultatet e një hulumtimi dyvjeçar lidhur me botën paralele të shërbimeve sekrete, që kanë krijuar qeveritë e SHBA-së nën Bushi-n dhe Obaman qysh pas sulmeve terroriste të vitit 2001.
Aktualisht 1271 organizata qeveritare dhe 1931 institucione private punojnë në programe, të cilat kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit dhe sigurinë e brendshme. Shumica e këtyre qendrave janë ndërkohë aq të mëdha dhe aq sekrete, sa ato nuk mund të kontrollohen më. Ndaj nuk mund të përcaktohet saktë, nëse ato vërtetë punojnë në mënyrë efikase për sigurinë e SHBA-së.
“Top Secret America"
Këtë titull mban njëri nga artikujt, që do të publikohen deri të mërkurën (21.07) dhe që qysh tani kanë tërhequr vëmendjen e opinionit. Rezultatet e këtij investigimi gazetaresk provojnë urtësinë popullore: shumë e përlumë. Pra me këtë sasi të madhe qendrash humbet kontrollin.
Të intervistuarit, persona me pozicione drejtuese p.sh. në Ministrinë e Mbrojtjes, pohojnë se pjesën më të madhe të raporteve dhe të analizave të shërbimeve sekrete, që tashmë kanë arritur në 50.000 në ditë, ato i injorojnë, shkruan autorja e Washington Post, Dana Priest. Si rrjedhojë njohuri të rëndësishme anashkalohen:
51 autoritete dhe sektorë punojnë paralelisht pa ditur gjë për ekzistencën e tjetrit
Priest: "Sistemi është bërë kaq i madh dhe i komplikuar dhe njëkohësisht qendrat e ndryshme janë të izoluara prej njëra-tjetrës, aq sa drejtuesit vetë nuk e dinë, se sa vetë punojnë në sistem, sa kushton çfarë dhe nëse në zona të caktuara punohet me efikasitet ose jo. Kësisoj në një masë të madhe bëhet punë e dyfishtë, kur autoritete qeveritare bëjnë të njëjtën gjë si edhe të tjera institucione, që ato nuk i njohin. Shembulli më i mirë është: ndjekja e derdhjeve të parave dhe e organizatave terroriste. Me këtë punë merren 51 autoritete dhe sektorë të ndryshëm dhe shumica e tyre nuk dinë gjë për ekzistencën e tjetrit".
Nisur nga fakti që frika për sulme të mëtejshme pas 11 shtatorit 2001 ishte e madhe, para nga tatimet u lëvruan pa rezerva për shërbimet e sigurisë dhe ato sekrete. Vetëm në Uashington DC dhe në rajonet përreth Virxhinias dhe Merilandit qysh atëherë janë ngritur, ose janë në ndërtim e sipër rreth 33 komplekse godinash, disa prej tyre gjigante, për punën e konsideruar top-secret. Përveç kësaj sipas Washington Post numri i njerëzve, që punojnë në to është rritur në shifra dramatike, personel ky që qëndron në ndërtesat top-secret dhe që lejohet të ketë akses në dokumentat dhe të dhënat top-secret. Numri i punonjësve në këto sektorë është aktualisht rreth 850 000, por as në këtë drejtim askush nuk ka një kontroll zyrtar.
"Ne kemi bërë intervista me ministrin e Mbrojtjes Robert Gates dhe me drejtorin e CIA-s Leon Panetta. Gates p.sh. thotë, se ai është i zhgënjyer, sepse ka vetë vështirësi për të marrë në dorë të tilla informacione, apo për të mësuar, se sa operacione të shërbimeve sekrete kryhen në ministrinë, që ai drejton. Askush në qeveri nuk i numëron detyrat e punonjësve, që merren me sigurinë. Disa na kanë ndihmuar për të gjetur një metodë numërimi, por edhe vetë ne jemi shumë të interesuar për rezultatet tona. Këto mund të lexohen në faqen tonë të internetit.", kështu shprehet Dana Priest në televizionin MSNBC.
Ndërkohë asaj Gates dhe Panetta i kanë thënë, se duan që ta konceptojnë në mënyrë më efikase luftën kundër terrorizmit në autoritetet, që ato drejtojnë. Edhe për shkak të deficitit të madh shtetëror duhet t' u jepet fund shpenzimeve, sipas Leon Panetta-s, i cili bën fjalë për një plan 5 vjeçar të CIA-s. Por puna e shërbimeve sekrete nuk mund të shkurtohet kaq thjeshtë, pa e ditur se kush për kë punon, thotë reporterja e “Washington Post“, Dana Priest. Ka pastaj edhe një pengesë: tema e luftës kundër terrorizmit është aq e politizuar, sa askush në SHBA nuk mund ta verë në pikëpyetje madhësinë e aparatit të sigurisë, pa u damkosur si i dobët kundrejt terrozimit'."
Deutsche Welle