English

Agim Sulaj, Fitues I Çmimit "Grand Prix Cartoonsea"

TIRANË, 21 Korrik/ ATSH/- Karikaturisti shqiptar, Agim Sulaj, një nga mjeshtrat e karikaturës dhe grafikes humoristike botërore, u shpall fitues i edicionit të dytë të "Grand Prix Cartoonsea", në Itali. Tema e zgjedhur prej tij ishin mbeturinat, plehrat e ndotja e ambientit. Çmimi shoqërohet me motivacionin: "Vepra e tij është një ilustrim satirik i rafinuar e surreal. Metafora e situatës ambientale dhe mungesës së tutelës ndaj saj". Ky çmim vjen dy jave pas çmimit tjetër prestigjoz ndërkombëtar, "Gabrilele Galantara", të marë po në Itali. Artisti dhe piktori i rafinuar, Sulaj prej vitesh merr pjesë me sukses nëpër konkurrimet më të rëndësishme ndërkombëtare. Dhjetë çmime speciale ju ndanë artistëve të njohur italianë si Cristina Bernazzanii, Matteo Bertelli, Giacomo Cardelli, Athos Careghi, Antongionata Ferrari, Andrea Foches, Giuseppe Marchi, Giulianno Rosseti, Giuseppe Scapigliatti, Agnesse Tomasetti, si dhe 4 cmime nderi. Ishte mjaft e vështirë përzgjedhja e veprës fituese, e seleksionuar ndër 270 të ardhura për konkurrim, nga 135 autore prestigjozë italianë. Piktori i njohur Agim Sulaj, një emër i padiskutueshëm është rikthyer në Shqipëri në mars 2008 me ekspozitën "Ëndërrimtari", ku paraqiti rreth 25 punime në vaj, punime të cilat u ndoqën me interes të plotë nga kritika shqiptare. Sulaj ka marrë një sërë trofesh në disa ekspozita dhe konkurse ndërkombëtare të organizuara në disa vende të planetit. Krijimtaria e tij është pasuruar me çmime prestigjoze ndërkombëtare fituar në Itali, Gjermani, SHBA, Kosovë, Bullgari, Spanjë, Belgjikë Luksemburg, Turqi , Portugali etj. Veprat e tij janë pjesë e Muzeumeve dhe koleksioneve më të rëndësishme të këtij sektori /s.d/a.s/
KOMENTE