Aksidenti I Fushë-Arrëzit/Të Plagosurit Nën Kujdesin E Mjekëve
E
TIRANË, 21 Korrik/ATSH-M.Shkurta/.-Gjendja e të plagosurve të aksidentit tragjik të Fushë-Arrëzit, të cilët prej katër ditësh ndodhen të shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë nën kujdesin e vazhdueshëm të ekipit mjekësor, paraqitet në parametra normalë. Por në gjendje të rëndë shëndetësore vazhdojnë të jenë dy fëmijët e vegjël, 4 dhe 5 vjeç të cilët ndodhen ende në terapi intensive.
Drejtori i Spitalit Ushtarak të Tiranës, dr.Bedri Mihaj tha të mërkurën për ATSH-në se "me përjashtim të dy fëmijëve të vegjël, të cilët prej të shtunës ndodhen në reanimacion duke ju nënshtruar terapisë intensive, gjendja e të plagosurve të tjerë paraqitet në parametra normalë dhe jashtë rrezikut për jetën".
Dy fëmijët e vegjël, me fraktura të rënda janë Anisa Mustafa, e cila në këtë aksident tragjik humbi dy prindërit dhe motrën e madhe dhe vogëlushi Erikson Pera, i cili ka pësuar dëmtime në mushkri, kokë dhe në bark.
Aksidenti tragjik, i mbasdites së të shtunës, ndodhi në fshatin Dom të komunës Gjegjan në rrethin e Pukës, kur një autobus me pasagjerë i linjës Fushë Arrëz- Durrës, ra nga një lartësi prej 30-40 metra, pranë lumit Fan.
Në këtë aksident tragjik humbën jetën 14 persona, ndërsa mbetën të plagosur 12 të tjerë, të cilët aktualisht ndodhen në Spitalin Ushtarak të Tiranës, nën kujdesin e mjekëve të specializuar të këtij spitali./a.s/