Tiranë, 21 korrik, NOA – Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florian Serjani ka depozituar sot pranë Prokurorisë së Tiranës listën e padive të ngritura nga Bashkia e Tiranës, përdrejt të gjithë krerëve të mazhorancës, që kanë akuzuar padrejtësisht kryetarin e Bashkisë, Edi Rama.
Sipas Serjanit mes padive, të cilat ai i lexoi për mediat para oborrit të prokurorisë është edhe ajo më e fundmja që i kushtohet ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, për fyerjet e drejtuara ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Por, ajo që s’kuptohet është se fillimisht ishte Partia Socialiste që do të ngrinte padi ndaj akuzave të ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, drejtuar kryetarit të PS-së, Edi Rama, duke e akuzuar atë si përdorues droge dhe një njeri me shije seksuale perverse.
Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, ndër të tjera i ka bërë thirrje prokurorisë së kryeqytetit që të hetojë të gjitha aktpaditë dhe të zbardhë të vërtetën e akuzave në dëm të kryebashkiakut Rama, pasi qytetarët të cilët e kanë votuar Ramën për kaq vite në krye të Bashkisë më të madhe në vend, kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën mbi akuzat e padenja.
mit/NOA