Beqiri:Rama Nuk Është Modeli Që Duhet Të Ndjekë Rinia Shqiptare
E
-Deklaron zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Leonard Beqiri-
TIRANE, 21 Korrik/ ATSH/- Zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Leonard Beqiri, që është njëherazi anëtar i kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), u shpreh sot se "kryetari i opozitës, Edi Rama nuk është modeli që duhet të ndjekë rinia shqiptare".
Gjatë një konference për shtyp, zv.ministri Beqiri, në përgjigje të akuzave të opozitës ndaj kreut të Ekonomisë, Dritan Prifti mbi pasurinë e tij, tha se "shprehja "shpif, shpif se diçka do të mbetet", tashmë është kuptuar nga të gjithë shqiptarët".
"Në lidhje me këtë akuzë, ministri Prifti i ka kërkuar Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të hetojë urgjent pasurinë e tij dhe të informojë publikun në lidhje me të vërtetën, ndërsa i ka kërkuar Edi Ramës të bëjë analizat që vërtetojnë nëse ai ka përdorur ndonjëherë lëndë narkotike apo jo", tha Beqiri.
Në këtë kontekst, tha ai, "populli shqiptar, prindërit, nënat, kanë të drejtë që të mos ia besojnë fëmijët e tyre dhe të ardhmen e tyre një lideri të opozitës që është gjithmonë nën kontrollin e lëndëve narkotike. Nuk mund të shohin z.Rama si një njeri, të cilin mund ta marrë shembull çdo shqiptar, çdo fëmijë, çdo qytetar i këtij vendi". /a.s//n.m/